Babai i këngëtares me famë botërore, Dua Lipa, Dukagjin Lipa – i njohur gjithashtu si frontmeni i grupit legjendar “ODA” – ka komentuar për herë të parë mbi fotografinë e shumëpërfolur të vajzës së tij, ku ajo shihet duke pirë cigare.
Në një intervistë për emisionin “Pushime On Top”, Dugi u pyet nëse konsumimi i cigareve nga Dua është diçka që e shqetëson apo e sheh si pjesë të jetës së saj artistike.
“Dua nuk e pinë cigaren para koncertit. As alkool nuk pinë, as cigare nuk pinë – kur jemi në turne nuk pinë. Kur është në pushim, pi”, u shpreh ai me sinqeritet.
Dukagjini shtoi më tej se është e padrejtë të paragjykohet një artiste për zgjedhje të tilla personale, sidomos kur ajo është e rritur dhe e pavarur.
“Nuk e besoj që në shekullin 21 ka rëndësi nëse je shqiptar apo amerikan. Nëse vajza jote i ka 29-30 vjet, çfarë të drejte ke t’i thuash ‘pi’ ose ‘mos pi’”, tha ai.
Reagimi i tij erdhi pas disa komenteve në rrjete sociale, ku fansa të ndryshëm shprehën habinë ose zhgënjimin për shkak të fotografive të Duas ku shihet me cigare, veçanërisht gjatë pushimeve në mes të një turneu të ngjeshur botëror.
