“Dy cm më të mëdhaja dhe nuk do të..”, bisedat në Sky Ecc mes Çopjas dhe Çelës zbulojnë metodat e trafikimit të armëve

2
“dy-cm-me-te-medhaja-dhe-nuk-do-te.”,-bisedat-ne-sky-ecc-mes-copjas-dhe-celes-zbulojne-metodat-e-trafikimit-te-armeve
“Dy cm më të mëdhaja dhe nuk do të..”, bisedat në Sky Ecc mes Çopjas dhe Çelës zbulojnë metodat e trafikimit të armëve

Banda e drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela, e njohur për trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës, sipas përgjimeve të publikuara rezulton se ishte e përfshirë edhe në tregtinë e armëve. Dokumentet e zbardhura nga aplikacioni Sky ECC tregojnë mënyrën se si funksiononte ky aktivitet paralel.

Më 16 shtator 2020, gjatë një bisede mes Çelës dhe Çopjas, ata diskutojnë për një ngarkesë të re dhe shkëmbejnë foto armësh. Çela shprehet se “gjashtë armë janë me silenciator” dhe se, nëse nuk i sjellin pajisjet e tjera, do të fusë vetëm ato gjashtë copë.

Në komunikim shpjegohet edhe metoda e maskimit të armëve: ato çmontoheshin dhe fshiheshin në kanaçe, secila pjesë në një kanaçe të veçantë, për të shmangur ngatërrimin gjatë montimit. Çela shton se në këtë mënyrë ka mundur të fusë edhe “1 mijë fishekë”.

Përgjime të tjera zbulojnë se anëtarët e grupit i quanin armët “lodra”, ndërsa në një rast Çopja i kërkon Çelës që bashkë me një ngarkesë droge t’i dërgonte edhe armë zjarri. Po në këto biseda përmendet edhe sigurimi i 120 kilogramëve lëndë plasëse C4.

Nga komunikimet del se Ervis Çela vendoste objektivat e fitimit, të cilët arriheshin brenda disa javësh, ndërsa anëtarë të tjerë të grupit merreshin me numërimin e parave. Në një tjetër përgjim, vëllezërit Çela flasin për blerjen e një ferme në Paraguaj me vlerë 9 milionë dollarë dhe një sipërfaqe prej 7,500 hektarësh. Fitimet e siguruara nga aktivitetet kriminale ose groposeshin në rrënjët e ullinjve, ose ktheheshin në ar.