
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Baincë të komunës së Lipjanit, ku është gjetur i vdekur dhe i groposur një burrë, i cili më parë ishte raportuar si person i zhdukur.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila njoftoi se rasti po trajtohet si vrasje e rëndë.
“Dje rreth orës 12:00, në fshatin Baicë të Lipjanit, është gjetur i groposur një trup i pajetë (ende i paidentifikuar). Hetuesit policorë, në koordinim me prokurorinë, kanë nisur veprimet procedurale, ndërsa trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi dhe identifikim,” deklaroi Ahmeti.
Sipas informacioneve fillestare, trupi i pajetë është zbuluar nga familjarët e viktimës, i cili ishte shpallur i zhdukur pak ditë më parë.
Dyshohet se viktima është Enver Bajraktari, për zhdukjen e të cilit familja kishte ngritur alarmin dhe kishte kërkuar ndihmë për ta gjetur./Sinjali