
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Milanon gjatë natës së Ferragostos. Nunzia Antonia Mancini, 64 vjeçe, dyshohet se ka vrarë partnerin e saj 73-vjeçar, Vincenzo Ferrigno, me të cilin ishte prej më shumë se 40 vitesh.
Sipas hetimeve paraprake, Mancini fillimisht e goditi Ferrignon me thikë disa herë ndërsa ai ishte në gjumë dhe më pas e mbyti me jastëk. Pas krimit, ajo ka dalë në rrugë dhe ka telefonuar policinë, duke thënë: “E vrava, nuk ia dilja dot më.”
Policia dhe ekipet e emergjencës mbërritën në banesën e çiftit në katin e dytë të një pallati, ku gjetën trupin e pajetë të Ferrignos në shtrat. Viktima, ish-shitës gazete, kishte pësuar goditje në tru gjatë viteve të fundit dhe gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ndjeshëm muajt e fundit.
Në dëshminë e saj para prokurores Maria Cristina Ria, Mancini ka shpërthyer në lot: “Nuk mundesha më të kujdesesha për të.” Ajo është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e sakta të krimit.