
Janë liruar me kusht prindërit dhe gjyshi i vajzë 4-vjeçare shqiptare, e cila humbi jetën duke u mbytur në një pishinë pak ditë më parë në ishullin Paksos në Greqi. Me vendim unanim të Prokurorit dhe Hetuesit, ata janë lënë të lirë me masën kufizuese të ndalimit të daljes nga vendi.
Pasditen e së martës, më 26 gusht, të afërmit dhe miqtë do t’i japin lamtumirën e fundit të voglës, e cila humbi jetën në rrethana tragjike.
Një fakt tragjik dhe ironik është se vajza kishte lindur pikërisht më 26 gusht, katër vite më parë, në vitin 2021.“Një sekondë është e mjaftueshme që të ndodhë tragjedia. Pasi u vu re se fëmija mungonte, familjarët bashkë me fqinjët nisën menjëherë kërkimet. Menjëherë u njoftua edhe policia. Në fund, fëmija u gjet nga një fqinj që po merrte pjesë në kërkim,” u shpreh avokati i familjes.
Si ndodhi ngjarja?
Të afërm të vajzës së mitur kanë deklaruar se ajo po luante në korridorin e shtëpisë dhe se zhdukja ndodhi papritur, brenda pak minutash. Sapo familjarët kuptuan që vajza mungonte, ata njoftuan policinë dhe nisën kërkimet së bashku me fqinjët dhe forcat e policisë, por pa rezultat.
Vogëlushja u gjet pak më vonë pa shenja jete në pishinën e një vile disa metra larg shtëpisë, nga kuzhinieri i cili kishte shkuar aty për të punuar.
Menjëherë u bënë përpjekje për ta ringjallur nga një mjek i Qendrës Shëndetësore të Paksos, por pa sukses, pasi e mitura humbi jetën.