Edhe në tentativën e 24-të për konstituim të kuvendit, Adriana Matoshi prapë merr vëmendjen me veshjen e saj në seancë

12

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe aktorja e njohur, Adriana Matoshi, ka zgjedhur sërish që të dalë në pah më shumë përmes stilit të saj të pazakontë të veshjes, sesa përmes qëndrimeve politike.

Në seancën e 24-të me radhë, të mbajtur këtë të shtunë, në përpjekje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Matoshi u paraqit me një fustan të gjatë rozë me motive të theksuara, të kombinuar me një pallto të çelur rozë dhe këpucë me taka, duke sfiduar hapur normat e një paraqitjeje formale e të matur që pritet nga një përfaqësuese e popullit.

Kjo nuk është hera e parë që Matoshi tërheq vëmendjen për veshjen e saj në sallën plenare. Ajo është bërë e njohur për zgjedhje të vazhdueshme që shpesh e largojnë fokusin nga debati politik dhe e orientojnë drejt shfaqjes personale dhe imazhit.

Veshja përbënte një kontrast të ndjeshëm me veshjet formale të shumicës së kolegëve të saj.

Me këtë stil, ajo jo vetëm që sfidon rregullat e pathëna të protokollit, por edhe hap një debat më të gjerë mbi përfaqësimin e grave në politikë dhe paraqitjen që një deputet ose deputete duhet të ketë në institucionet e vendit.