Gjatë javës së parë të gushtit, euro preku një minimum të ri historik, duke rënë poshtë nivelit të 97 lekëve.
Të premten, euro pësoi rënie deri në 96.5, ndërsa sot në 97.3 Ky nivel i ulët, sipas ekspertëve, shpjegohet me ndikimin e turizmit në treg, një fenomen i përvitshëm.
“I vetmi justifikim i mundshëm për rënien mund të jetë pjesa e turizmit. Jemi në kulmin e sezonit turistik dhe po sillen çdo ditë e më tepër para dhe ndoshta ky është faktori kryesor që ka çuar në një forcim edhe më të madh të monedhës vendase. Kjo është arsyeja kryesore, mendoj, për këtë rënie në minimumin historik të euros në këto ditë të fundit”, thotë eksperti Klodian Muço.
Por ndryshe nga vitet e mëparshme, kur euro niste të fitonte pikë përballë lekut në përfundim të sezonit, të paktën në vitin e fundit, kjo traditë është “thyer”.
“Shqipëria është një vend ku logjika ekonomike nuk të ndihmon. Ne jemi në kulmin e sezonit turistik, normalisht supozohet që në të ardhmen monedha jonë do të zhvlerësohet, pra do të ikë fluksi turistik dhe do të rikthehemi te gjendja e mëparshme. Por, po të kemi parasysh vitin e kaluar, në shtator ra edhe më shumë sesa në gusht. Kjo tregon që logjika ekonomike këtu te ne lë për të dëshiruar, sepse këtu ka informalitet shumë të lartë, kemi depërtim të ekonomisë kriminale.
Kur korrupsioni, evazioni, krimi i gjenerojnë kryesisht të ardhurat në valutë dhe më pas këto shkëmbehen në exchange, janë edhe këto faktorë që ndikojnë në vlerësim dhe zhvlerësim. Prandaj nuk i këshillon dot qytetarët të blejnë apo jo në këtë moment. Sipas logjikës ekonomike duhet të blejnë, por realiteti është i pasigurt”, u shpreh ai për “Vizion Plus”.
Nga rënia e vazhdueshme e euros ka humbës dhe fitues.
“Rënia e euros stimulon importuesit, ata që kanë marrë kredi në monedhë të huaj, por të ardhurat e tyre i kanë në monedhën vendase.
Humbësit janë ata që eksportojnë jashtë, janë një sërë kompanish eksportuese në vend, fitimet e të cilave po bien nga muaji në muaj si pasojë e këtij forcimi të monedhës vendase dhe zhvlerësimit të euros, sepse pagesat vijnë në euro, euro po humbet nga dita në ditë”, tha Klodian Muço.