Zjarri është shfaqur në të njëjtën zonë ku më parë kishte shpërthyer një vatër e cila ishte shuar nga reshjet e shiut të datës 29 korrik. Sipas pamjeve nga terreni, flakët po përhapen me shpejtësi, për shkak të erës së fortë dhe bimësisë së dendur në masivin pyjor.
Një vatër aktive zjarri është shfaqur sërish në malin e Allushit, mbi fshatin Shëngjun në Bashkinë Klos, duke rritur shqetësimin për përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.
Burime nga terreni bëjnë me dije se ende nuk dihet saktësisht se si janë riaktivizuar flakët, por dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një konfirmim zyrtar për shkaqet e zjarrit.
Aktualisht, kjo është e vetmja vatër aktive zjarri në qarkun Dibër, pasi vatrat e tjera u shuan nga reshjet e fundit. Zjarri në malin e Allushit po mbikëqyret nga afër për shkak të rrezikut potencial që paraqet për banesat e fshatit Shëngjun.
Autoritetet lokale pritet të ndërhyjnë për shuarjen e flakëve, ndërsa banorët janë në gatishmëri në rast përkeqësimi të situatës. Bashkia e Klosit është njoftuar për rrezikun dhe, sipas burimeve, po përgatit një plan ndërhyrjeje për të ndaluar përhapjen e zjarrit.