Gazetari zbulon detajet: Çfarë fshihet pas vizitës së Altin Dumanit në SHBA (Video)

1
gazetari-zbulon-detajet:-cfare-fshihet-pas-vizites-se-altin-dumanit-ne-shba-(video)
Gazetari zbulon detajet: Çfarë fshihet pas vizitës së Altin Dumanit në SHBA (Video)

Gazetari Eni Ferhati komentoi në emisionin “NOW me Erla Mehillin” vizitën zyrtare të kreut të SPAK, Altin Dumani, në Departamentin Amerikan të Shtetit në SHBA.

Sipas Ferhatit, kreu i SPAK është zyrtari i parë shqiptar që viziton DASH-in pas ardhjes në pushtet të administratës së re Trump, një vizitë që ai e konsideron si një shenjë mbështetjeje dhe vlerësimi për punën e insitucionit dhe vetë Dumanit.

“Në listën e publikuar të agjendës së disa zyrtarëve të DASH-it është dhe prezenca e zotit Dumani, i cili nuk është hera e parë që viziton administratën amerikane. Unë e shoh këtë si një vijim të mbështetjes amerikane për SPAK-un dhe veçanërisht për zotin Dumani. Ky takim mbart një mesazh të qartë për pozicionin që ka SPAK sot dhe për vetë zotin Dumani. Kemi rënë dakord se Altin Dumani ishte një “investim” amerikan dhe nuk duhet harruar ndikimi i ish-ambasadores Kim. Ky është një mesazh i qartë në kontekstin e zhvillimeve të fundit, sidomos kur patëm ndërprerje të fondeve dhe asistencës për Prokurorinë e Posaçme, që u pezulluan për disa javë. Por menjëherë pas procedurave në SHBA, situata u kthye në pikën fillestare, me staf amerikan që konsulton dhe mbështet logjistikisht SPAK-un” tha gazetari Ferhati.

Ferhati tha se kjo vizitë nënkupton një vlerësim për Dumani dhe për punën e SPAK gjatë këtyre tre viteve. Sipas tij me zhvillimet e reja politike mund të shohim një trajektore të re për SPAK-un, por që do të shikohet hap pas hapi.