Zëvendëskancelari, Ministri i Financave dhe drejtuesi i Partisë Socialdemokrate (SPD), Lars Klingbeil, nuk përjashtoi mundësinë që Gjermania të marrë pjesë në forcat e mundshme që do të angazhohen për zbatimin e garancive të sigurisë për Ukrainën. Megjithatë, ai theksoi se arritja e një armëpushimi mbetet qëllimi kryesor.
“Pas armëpushimit, gjithçka mund të diskutohet, përfshirë garancitë e sigurisë europiane për Ukrainën,” tha politikani socialdemokrat në intervistën e tij të përvitshme “verore” në kanalin e dytë të televizionit publik gjerman ZDF.
Pyetur nëse Gjermania dhe Europa duhet të dërgojnë trupa në Ukrainë për të garantuar paqen, ai u shpreh:
“Sigurisht, ne si evropianë duhet të marrim përgjegjësi kur bëhet fjalë për garancitë e sigurisë, qoftë trupa ushtarake, trajnime për ushtrinë ukrainase, ndihma financiare apo çështje të tjera. Të gjitha këto do të sqarohen në ditët në vijim.”
Garancitë e sigurisë janë “një element qendror i një zgjidhjeje të negociuar,” shtoi ai.
Në pyetjen nëse, si ministër i Financave, do të dëshironte të kishte akses në asetet ruse “të ngrira” në Perëndim, Klingbeil u përgjigj: “Emocionalisht po, por ligjërisht është shumë e vështirë,” duke shtuar gjithashtu se “është gjetur një zgjidhje, të paktën për aksesin në interesat e këtyre aseteve.”
Sa i përket pjesëmarrjes së Bundeswehr-it në një forcë garancie sigurie për Ukrainën pas një marrëveshjeje me Rusinë, shefi i politikës së jashtme i Partisë Kristiandemokrate (CDU), Roderick Kiesewetter, tha për BILD se “garancia e vetme e besueshme dhe afatgjatë për sigurinë e Ukrainës do të ishte anëtarësimi në NATO, sepse ajo ofron mbrojtje bërthamore, ndërsa do të ishte e nevojshme edhe vendosja e trupave, ku sigurisht Gjermania do të duhej të kontribuonte.”
Në të njëjtën pyetje, zv/kryetarja e grupit parlamentar të SPD-së, Siemtje Möller, vuri në fokus rolin e SHBA-së:
“Kontributi i SHBA-së është kyç për të gjitha garancitë e sigurisë. Ne evropianët gjithashtu do të kontribuojmë në mënyrë të konsiderueshme, por ende nuk dihet se në çfarë forme. Detajet e strukturimit do të diskutohen sapo Rusia të ndalojë luftën dhe të fillojnë negociatat për një paqe të drejtë për Ukrainën,” tha ajo gjithashtu për BILD.
Etiketa: berlin
Promoted Content