
Një shtetas shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar nga drejtësia italiane me 18 vite burg për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik ndërkombëtar droge, është arrestuar nga Policia Kufitare në Portin e Sarandës.
Në pranga ka rënë Ermal Kostare, 50 vjeç, banues në Tiranë dhe rezident në Mbretërinë e Bashkuar, i cili përdorte edhe identitetin e rremë Denis Rama, për të shmangur kapjen nga autoritetet.
Njoftimi i policisë
PKK Port Sarandë- Kapet nga shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar, i dënuar në Itali, me 18 vjet burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike.
Ky shtetas tentoi të dilte nga Shqipëria, me pasaportë me gjeneralitete të tjera, por u identifikua nga gjurmët e gishtave, pas verifikimeve dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën.
Nga shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Port Sarandë, në kuadër të kontrolleve të shtuara dhe falë bashkëpunimit me Interpol Tiranën, u bë kapja dhe arrestimi provizor me qëllim ekstradimin, i shtetasit në kërkim ndërkombëtar:
-Ermal Kostare alias Denis Rama, 50 vjeç, banues në Tiranë, rezident në Mbretërinë e Bashkuar.
Ky shtetas është paraqitur në sportelin e daljes nga Republika e Shqipërisë dhe gjatë verifikimit të pasaportës që ka paraqitur, punonjësit e Policisë Kufitare kanë krijuar dyshime mbi identitetin e tij dhe e kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë.
Pas verifikimeve të imtësishme, përmes pajisjes biometrike të gjurmëve të gishtave dhe krahasimit me të dhënat e dërguara nga Interpol Tirana, u konfirmua se 50-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe përdorte dokument identifikimi (pasaportë të Mbretërisë së Bashkuar) me gjeneralitete të tjera, për t’iu shmangur identifikimit.
50-vjeçari shtë dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane me 18 vjet burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e 50-vjeçarit, në Itali.