“Ik se do vdesësh”/ Flet fermeri në Pukë: U zgjuam me krisma armësh, jemi të traumatizuar

3
“ik-se-do-vdesesh”/-flet-fermeri-ne-puke:-u-zgjuam-me-krisma-armesh,-jemi-te-traumatizuar
“Ik se do vdesësh”/ Flet fermeri në Pukë: U zgjuam me krisma armësh, jemi të traumatizuar

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Munellë të Pukës, ku u qëllua me armë zjarri pranë banesës së tij, ka reaguar vetë fermeri Erjon Nikolli, duke treguar përjetimet e familjes dhe frikën që ka kapluar të gjithë.

“Dje u zgjuam me krisma armësh. Këtu rri me nusen, kam pasur edhe kunatën dhe fëmijët ngjitur. Jemi të traumatizuar, nuk mund ta besoj që diçka e tillë mund të na ndodhë,” u shpreh Nikolli për News24.

Ai sqaroi se është një fermer që merret vetëm me bagëti dhe se e vetmja përplasje që ka pasur ka qenë një konflikt verbal me një bashkëfshatar.

“Thirrja ime për institucionet është të më japin një zgjidhje. Kam ardhur nga emigrimi, kam investuar në bagëti për të siguruar të ardhmen e familjes. Nuk kërkoj asgjë tjetër, vetëm të punoj dhe të jetoj i qetë,” theksoi ai.

Ngjarja ka lënë gjurmë të thella edhe te bashkëshortja e tij, e cila është në muajin e nëntë të shtatzënisë.

“Jam e traumatizuar. Duke marrë parasysh edhe gjendjen në të cilën ndodhem, është e domosdoshme që të merren masa,” tha ajo.

Ndërkohë, policia vijon hetimet, pasi në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja si dhe një mesazh kërcënues i shkruar në një gur: “Ik se do të vdesësh”. Ende nuk ka persona të ndaluar për këtë ngjarje.

after content