
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka njoftuar për hapjen e ciklit “Netër e Filmit Shqiptar” në Kosovë.
“Kam kënaqësinë t’ju ftoj në ciklin kulturor “Netët e Filmit Shqiptar”, organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë dhe Kino Armata në Prishtinë”, ka shkruar Malaj në Facebook.
“Ceremonia e hapjes do të mbahet me shfaqjen e filmit të paharrueshëm “Përrallë nga e Kaluara”, të mjeshtrit të madh të kinemasë shqiptare, Dhimitër Anagnosti”.
Ky cikël nis të mërkurën e ardhshme nga ora 19:00 në Kino Armata me filmin “Përrallë nga e kaluara”.
“Bazuar në poemën satirike ‘14 vjeç dhëndër’ të Andon Zako Çajupit, ky film mbetet një nga komeditë më të spikatura të kinemasë sonë. Historia e Marigos, e dashuruar me Trimin por e detyruar të martohet me një djalë 14-vjeçar nga një familje e pasur, sjell me finesë humor, satirë dhe reflektim shoqëror”.
“Kjo shfaqje është edhe një homazh për mjeshtrin e madh Dhimitër Anagnosti (1936–2025) – një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë shqiptare, regjisor i dhjetëra veprave të mëdha, që solli në ekran dramën njerëzore me një gjuhë filmike moderne dhe të fuqishme”.