Një aksident në autostradën Lushnje-Fier ka shkaktuar kaos në qarkullim, duke krijuar radhë kilometrike në një prej rrugëve më të rëndësishme të zonës. Tre mjete janë përfshirë në një përplasje, ku bëhet me dije se ka vetëm dëme materiale.
Aksidenti ka ndodhur në afërsi të Savrës, duke bllokuar qarkullimin në hyrjen nga Bay pas Lushnjes. Për shkak të aksidentit, trafiku në këtë zonë është ngadalësuar ndjeshëm, me radhë pritjeje që arrijnë mbi 5 kilometra. Temperaturat mbi 40 gradë Celsius përkeqësojnë situatën duke e bërë pritjen të vështirë për drejtuesit e mjeteve.
Forcat e policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për të lehtësuar qarkullimin dhe për të rivendosur rendin në rrugë.
Autoritetet apelojnë për kujdes maksimal gjatë kalimit në këtë zonë dhe sugjerojnë shmangien e autostradës, nëse është e mundur, deri në zgjidhjen e situatës.