Është finalizuar një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, që ka si synim lokalizimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në Budapest, autoritetet hungareze, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe Policinë e Shtetit, arrestuan Auron Hajdinin, i njohur edhe si Auron Hysaj, 45 vjeç, i dënuar me 5 vite burg për vjedhje me dhunë.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit Tiranë, me vendim të datës 21 shkurt 2024, e dënoi me 5 vite burgim, nga të cilat i mbeten edhe 2 vjet, 11 muaj e 16 ditë për të vuajtur.
Ngjarja për të cilën është dënuar daton në vitin 2013, kur Hajdini, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka dhunuar rojën e një pusi nafte dhe i ka marrë sasi nafte, një automjet, një armë gjahu, një celular dhe dokumente.
Interpol Tirana, në koordinim me autoritetet hungareze, po punon për finalizimin e procedurave të ekstradimit të 45-vjeçarit në Shqipëri./tvklan.al