Një stuhi e fortë me shi, breshër dhe erëra që tejkalonin 100 km/h, goditi Romagna në Itali gjatë natës duke shkaktuar dëme serioze në të gjitha provincat. Përmbytje, qindra pemë të rrëzuara, dhjetëra automjete të dëmtuara dhe dëme në të gjitha resortet e plazheve dhe të mbjellat, u shkaktuan nga shiu, erërat e forta dhe breshëri.
Nuk raportohen persona të lënduar ose të humbur, por situata mbetet në zhvillim dhe operacionet e shpëtimit vijojnë, shkruan Il Corriere della Sera. Rajoni i Emilia-Romagna po përgatitet që të shpallë gjendjen e emergjencës rajonale, ndërsa dëmi përgjatë bregut pritet të vlerësohet.
Provincat e Rimini, Forlì-Cesena dhe Ravenna ishin ndër më të goditurat. Mbi 70 milimetra shi dhe shkulme ere me shpejtësi deri në 120 km/h ranë në zonat e prekura brenda 30-60 minutave.
Në Rimini, u përmbytën shtatë nënkalime që pritet të rihapen në orët në vijim. Qendra e zjarrfikëses rajonale ka marrë mbi 300 raportime dhe kërkesa për ndërhyrje lidhur me pemët, degët e rëna dhe përmbytjet. Janë dërguar dhjetë ekipe me zjarrfikës dhe gjashtë të Mbrojtjes Civile Provinciale.
23 persona u evakuuan nga një tren i ngecur në linjën Rimini-Ravenna pasi një pemë kishte rënë në hekurudhën pranë Bellaria-Igea Marina.
Në Milano Marittima, disa zona u blllokuan nga përmbytjet dhe pemët e rrëzuara, rreth 265 në total që goditën dhe dëmtuan dhjetëra makina të parkuara.
Në plazhe ka gjithashtu dëme serioze: çadra të thyera, struktura të shkatërruara. Megjithatë, në zonat e tjera plazhi dhe turizmi kanë vijuar pasi shërbimi nuk është ndalur në hapësirat e padëmtuara përgjatë rivierës.
Departamenti i Mbrojtjes Civile ka shpallur alarmin e verdhë për ditën e sotme. Nuk priten reshje të tjera, por situata mbetet në vëzhgim. Pritet që shiu të bjerë në zonën e Apenineve të Emilia-Romagna.