Këtë të diel, sytë nga qielli ne Tiranë! Do bëhemi dëshmitarë të një prej shfaqjeve më të bukura natyrore

1
kete-te-diel,-syte-nga-qielli-ne-tirane!-do-behemi-deshmitare-te-nje-prej-shfaqjeve-me-te-bukura-natyrore
Këtë të diel, sytë nga qielli ne Tiranë! Do bëhemi dëshmitarë të një prej shfaqjeve më të bukura natyrore

Të dielën, më 7 shtator 2025, qielli do të na dhurojë një nga fenomenet më mahnitëse të vitit: eklipsin total të Hënës, i njohur gjerësisht si “Hëna e Kuqe”.

Ngjarja do të zgjasë rreth 5 orë e gjysmë, nga momenti i hyrjes së Hënës në hijen e Tokës deri në daljen e saj, ndërsa faza e plotë do të ketë një kohëzgjatje mbresëlënëse prej 82 minutash.

Sipas të dhënave nga TimeandDate, për Tiranën Hëna do të lindë mbi horizont rreth orës 19:30, tashmë e zhytur në fazën e plotë të eklipsit.

Kulmi i spektaklit pritet pak pas orës 20:10, ndërsa disku hënor do të mbetet i mbuluar nga hija e Tokës deri rreth orës 23:00, kur do të shfaqet sërish i plotë dhe i ndritshëm.

Ngjyra e kuqërremtë e Hënës gjatë eklipsit shpjegohet nga mënyra se si atmosfera e Tokës filtron dritën e Diellit: rrezet blu shpërndahen, ndërsa ato të kuqe dhe portokalli depërtojnë, duke i dhënë Hënës një pamje të zjarrtë.

Është i njëjti proces që i dhuron horizontit ngjyrat e forta gjatë lindjes dhe perëndimit të Diellit. Për më tepër, ky eklips përkon edhe me një superhënë, çka do të bëjë që disku të duket më i madh dhe më i ndritshëm se zakonisht, duke e bërë përjetimin edhe më të veçantë.

Fenomeni do të shihet qartë nga Europa, Azia, Afrika dhe Australia, ndërsa Amerika këtë herë nuk do të ketë mundësi ta vëzhgojë.

Astronomët kujtojnë se eklipset ndodhin vetëm kur Dielli, Toka dhe Hëna vendosen në një vijë të drejtë – një rreshtim i rrallë që ndodh disa herë në vit.

Këtë të diel, sytë drejt qiellit në orën 20:10: do të jemi dëshmitarë të një prej shfaqjeve më të bukura natyrore që universi na ofron.