“Kishte të gjitha shenjat që të mos…”/ Kardiologu zbulon si i shpëtoi jetën pacientit në avionin e linjës Tiranë-Londër: Për 3 orë…

1
“kishte-te-gjitha-shenjat-qe-te-mos…”/-kardiologu-zbulon-si-i-shpetoi-jeten-pacientit-ne-avionin-e-linjes-tirane-londer:-per-3-ore…
“Kishte të gjitha shenjat që të mos…”/ Kardiologu zbulon si i shpëtoi jetën pacientit në avionin e linjës Tiranë-Londër: Për 3 orë…

Mëngjesin e kësaj të mërkure ishte i ftuar në “Wake Up” kardiologu Kristo Papa, i cili arriti që të stabilizonte gjendjen e një pasagjeri që pësoi shenja serioze shqetësimi shëndetësor në avionin e linjës Tiranë-Londër.

Simptomat e pasagjerit në fjalë ishin lipotimi, marrje mendsh, diarre, të vjella, dhimbje koke, dhimbje abdominale dhe dobësi të përgjithshme. Por për fat në avion ishte doktori i cili ndërhyri menjëherë dhe shmangu përkeqësimin e tij.

Doktori tha për “Wake Up” se pasagjeri ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe u konsultua me stafin.

“I matja parametrat. I dhashë dy ilaçe, u stabilizuar, për tre orë ishim në komunikim të vazhdueshëm me pilotët. Informuam Londrën, dhanë gatishmërinë e tyre. Ishte me bashkëshorten që më dha disa informacione për gjendjen e mëparshme të bashkëshortit”, u shpreh Kristo Papa.

Kardiologu shtoi më pas se linjat e fluturimit kanë protokollin e emergjencës, që aktivizohet në raste të tilla. Sipas tij, pilotët u bënë gati që të bënin ulje emergjente.

“Kanë kitin e emergjencës dhe protokollin që aktivizuan. Kishin medikamente dhe ndoqën të gjithë procedurën e emergjencës, stafi është i përgatitur, një mjek është një ndihmë e madhe. Pasagjerët e mirëkuptuan situatën, shumë prej tyre më pyetën nëse kisha nevoje për ndihmë”, tha Papa.

Duke folur për shëndetin e pacientit, kardiologu tha se nuk duhet të ndërmerrte këtë fluturim, pasi ishte takikardik dhe kishte të gjitha shenjat që të mos udhëtonte.

“Kur një pacient nuk ndihet mirë, ndërhyrja duhet bërë me kujdes, nuk është një ambient i zakonshëm spitalor, je në ajër. Ti duhet të jesh një lider që udhëheq stafin. Ruajta kontaktet, për 48 orë nuk ishte mirë, kishte temperaturë, e stabilizuan në spital”.

Nga ana tjetër, kardiologu ngriti alarmin për rastet e arrestit kardiak te të rinjtë:

“Kemi shumë të rinj që vijnë me atak kardiak, edhe 16 vjeç. Sidomos nga përdorimi i lëndëve narkotike. Kishim një 15-vjeçar që përdorimi i kokainës kishte shkaktuar një atak kardiak me probleme të ndryshme”.