Kodi i ri Penal: Deri në 3 vite burg kush keqtrajton ose braktis kafshët

4
kodi-i-ri-penal:-deri-ne-3-vite-burg-kush-keqtrajton-ose-braktis-kafshet
Kodi i ri Penal: Deri në 3 vite burg kush keqtrajton ose braktis kafshët

Drafti i Kodit të ri Penal parashikon burg deri në 3 vite për braktisjen apo keqtrajtimin e kafshëve.

Kjo është një nga pikat e një kapitulli të posaçëm për mbrojtjen e kafshëve ku janë nenet që trajtojnë dëmtimin, braktisjen dhe moskontrollin e kafshëve, duke përcaktuar masa ndëshkuese që variojnë nga gjoba deri në burgim.

Neni 944 e konsideron braktisjen e një kafshe, nga kushdo që ka përgjegjësi mbi të, si vepër penale, kur akti i braktisjes ndodh në rrethana që rrezikojnë jetën apo shëndetin e saj.

Për këtë shkelje, drafti parashikon dënim me gjobë ose deri në 3 vite burg.

Ndërsa pika 1 e nenit 943 përcakton qartë se:

“Shkaktimi i një dëmtimi të përhershëm ose të përkohshëm te një kafshë shtëpiake, të zbutur, të stërvitur apo që jeton përkohësisht ose në mënyrë të vazhdueshme nën kontrollin njerëzor, jashtë veprimtarive të rregulluara ligjërisht dhe me çdo mjet ose procedurë, – përfshirë aktet me natyrë seksuale – për të cilat kërkohet trajtim veterinar për rikthimin e shëndetit të kafshës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.”

Gjithashtu, në draft parashikohet dënim për ata që nuk kontrollojnë kafshët në publik.

Nëse qeni shkakton dëmtim të lehtë ndaj një personi për shkak të mungesës së kontrollit apo mungesës së maskës mbrojtëse, pronari mund të dënohet me gjobë ose deri në 6 muaj burg.

Dënime parashikohen edhe për organizimin e ndeshjeve ndërmjet kafshëve, si dhe për pronarët që nuk i mbajnë nën kontroll në hapësira publike.

Neni 946 dënon me gjobë ose burgim deri në tre muaj çdokënd që promovon, organizon apo drejton ndeshje ndërmjet kafshëve që u shkaktojnë atyre vuajtje apo torturë.

Sakaq, neni 947 përcakton se kur veprat ndaj kafshëve kryhen me egërsi, mizori apo për qëllime fitimi, ndëshkimi rëndohet me 50%.

Dënimi shtohet me 50% edhe kur vepra kryhet gjatë një ngjarjeje publike ose shpërndahen pamje të saj nëpërmjet teknologjive të informacionit ose komunikimit.

after content