​Kosova bëhet qendra e muzikës Pop – pas elektrizimit të skenës nga Dua Lipa, sonte ngjitet Shawn Mendes

12
​kosova-behet-qendra-e-muzikes-pop-–-pas-elektrizimit-te-skenes-nga-dua-lipa,-sonte-ngjitet-shawn-mendes
​Kosova bëhet qendra e muzikës Pop – pas elektrizimit të skenës nga Dua Lipa, sonte ngjitet Shawn Mendes

Sonte, për herë të parë në Kosovë, do të vijë ylli ndërkombëtar i muzikës pop, Shawn Mendes – fitues i çmimeve prestigjioze si “MTV Europe Music Awards” dhe artist që ka mbushur skena madhështore si “O2 Arena” në Londër dhe “Madison Square Garden” në New York.

Mendes do të performojë në edicionin e sivjetshëm të Sunny Hill Festival, festivali më i madh muzikor në vend, raporton lajmi.net

Në të njëjtën mbrëmje, në skenën C4 do të ngjitet edhe DJ-i i njohur brazilian Mochakk, i cili me stilin e tij funky dhe ekspresiv po fiton zemrat e publikut në klubet dhe festivalet më të mëdha të globit.

Sunny Hill Festival 2025 ka nisur mbrëmë në fshatin Bërnicë të Prishtinës dhe do të zgjasë për tri netë, duke sjellë në skenë disa nga emrat më të njohur të muzikës botërore dhe shqiptare.

Hapjen e festivalit e ka bërë ylli me famë ndërkombëtare Dua Lipa, e cila u shpreh krenare për këtë projekt të përbashkët me familjen e saj:

“Tash na bëhen gjashtë vjet dhe po më duket çdo vit po bëhet mirë e më mirë,” tha ajo në skenë, ndërsa shtoi me entuziazëm:


“Kosova ka lezet, t’i tregojmë krejt botës.”

Ajo ndezi atmosferën me performancën e saj dhe në një moment të veçantë, iu bashkua në skenë edhe babai i saj, Dukagjin Lipa, me të cilin kënduan këngën ikonike të “Gjurmëve” – Era.

Festivali vazhdon edhe të dielën dhe sjell një line-up të pasur artistësh ndërkombëtarë si: Artssassin, Bookie, Deezy, Sainté, Sienna Spiro, Skream, Sugar Rush, Tommy Gold, TSHA, Mygal B2B Edgar Kerri, me stile që variojnë nga hip-hop dhe alt-pop, në dubstep dhe house.

Në mesin e artistëve shqiptarë që do të performojnë janë emra të njohur të skenës si: Loredana, Lyrical Son, MC Kresha, Era Istrefi, Tayna, Kida, Ledri Vula, Adrian Berisha, DJ Caboo, Art Lokaj Band, Bana Zahiti, Blerta Përtace, Hawolf, Lluni, Sahati, Uran B., Yanina dhe Zwada.

Sunny Hill Festival 2025 pritet të jetë një festë e jashtëzakonshme e muzikës moderne shqiptare dhe ndërkombëtare, duke e kthyer Prishtinën në një qendër kulturore me energji dhe ritëm global./Lajmi.net/

 

after content