
Në një kohë kur çështja e strehimit po bëhet gjithnjë e më problematike për mijëra familje shqiptare, veçanërisht në qytetet e mëdha, Ministria e Ekonomisë ka prezantuar një qasje të re në politikat e strehimit social.
banesa-sociale-850×450-1
Përmes një udhëzimi janë përcaktuar gjashtë programe konkrete që synojnë t’u japin zgjidhje shtresave të ndryshme të popullsisë që vuajnë nga mungesa ose vështirësia për të siguruar një banesë. Qëllimi kryesor i kësaj nisme është të mbështesë qytetarët me të ardhura të ulëta, familjet e reja, personat në situata të vështira sociale dhe grupet vulnerabël, duke ndërtuar një sistem më të drejtë dhe të qëndrueshëm strehimi në nivel kombëtar. Sipas ministrisë, qëllimi i kësaj reforme është që Shqipëria të ndërtojë një sistem modern dhe të qëndrueshëm të strehimit, që nuk u përgjigjet vetëm rasteve emergjente, por ofron zgjidhje reale për shtresat në nevojë dhe për qytetarët që përjashtohen nga tregu i lirë. Për të përfituar nga këto programe, aplikimi do të bëhet përmes platformës “e-Albania”, në bashkëpunim me njësitë vendore. Procesi do të bazohet në kritere të qarta sociale dhe ekonomike, për të garantuar transparencë dhe barazi në përzgjedhje.
BANESAT SOCIALE ME QIRA
Programi më i njohur i strehimit social mbetet ai i dhënies së banesave me qira me çmime të subvencionuara. Përfitues janë familjet me të ardhura të ulëta, për të cilat tregu i lirë i qirasë është i papërballueshëm. Sipas skemës së re, 80% e përfituesve do të jenë individë ose familje që kanë të ardhura nën 100% të mesatares mujore kombëtare, me prioritet për ata që ndodhen në kufijtë më të ulët të të ardhurave. Pagesa e qirasë për ta mbulohet pjesërisht ose tërësisht nga buxheti i bashkisë, në varësi të nivelit të të ardhurave të aplikantëve. Ky program, që zbatohet nga njësitë vendore, pritet të zgjerohet edhe në zona të reja urbane, ku deri më tani mungonin struktura të tilla sociale.
ZONA TË REJA ZHVILLIMI
Një tjetër element i rëndësishëm i reformës është zhvillimi i zonave për ndërtim të qëllimshëm për strehim. Bëhet fjalë për transformimin dhe integrimin e zonave të banuara informale, ku shumë qytetarë kanë ndërtuar pa leje gjatë dekadave të fundit, si dhe rikualifikimin e ish-zonave industriale të braktisura. Këto zona do të marrin status të veçantë dhe do të përfshihen në planet urbanistike të bashkive, duke mundësuar ndërtimin e banesave të reja për qëllime sociale ose me kosto të ulët. Përfituese do të jenë familjet që tashmë jetojnë në ato zona pa kushte minimale jetese.
BANESA ME KOSTO TË ULËT
Përveç banesave sociale, një program më i ri synon të mbështesë edhe familjet që nuk përfshihen në kategorinë e varfërisë ekstreme, por që gjithsesi nuk kanë mundësi të blejnë një apartament në tregun e lirë. Banesat me kosto të ulët do të ndërtohen në bashkitë ku çmimi i tregut është i lartë dhe do të shiten me çmime të kontrolluara, të afërta me koston reale të ndërtimit. Kjo do të bëhet përmes partneriteteve me sektorin privat, duke vënë në dispozicion tokë publike për ndërtimin e objekteve të banimit. Përfitues do të jenë të rinjtë, çiftet e reja, profesionistët e rinj dhe familjet me të ardhura mesatare, që aktualisht nuk kanë akses real në tregun e pasurive të paluajtshme.
STREHIMI I SPECIALIZUAR
Një risi tjetër e udhëzimit është kategorizimi i ashtuquajturve “banesa të specializuara”. Ky program është ndërtuar për të adresuar nevojat specifike të individëve dhe grupeve që kanë nevojë për strehim me shërbime të integruara. Përfitues do të jenë persona me aftësi të kufizuara, të moshuar që jetojnë vetëm, viktima të dhunës në familje, viktima të trafikimit, fëmijë pa përkujdesje prindërore, por edhe të rinj që dalin nga sistemet e përkujdesjes sociale. Në këto raste, nuk ofrohet vetëm një çati mbi kokë, por edhe mbështetje sociale, psikologjike dhe ndonjëherë edhe kujdes shëndetësor në ambiente të përshtatura për secilën kategori.
GRANTE RIKONSTRUKSIONI
Ndërhyrjet për përmirësimin e banesave ekzistuese janë gjithashtu pjesë e kësaj pakete. Ky program u drejtohet familjeve që jetojnë në kushte të vështira banimi dhe që nuk kanë mundësi financiare për të riparuar banesën e tyre. Granti mund të përdoret për riparime strukturore, instalime elektrike, sisteme ujësjellësi apo përshtatje për persona me aftësi të kufizuara. Edhe banesat publike përfitojnë nga ky fond, duke garantuar mirëmbajtje dhe cilësi jetese për banorët që jetojnë në to.
STREHIMI I PËRKOHSHËM
Në fund, por jo më pak i rëndësishëm, është programi i strehimit të përkohshëm. Ai është menduar për raste emergjente si përmbytje, tërmete, dëbime, apo edhe për persona që kthehen nga emigracioni dhe nuk kanë ku të strehohen. Strehimi i përkohshëm mund të ofrohet në struktura publike të përkohshme ose me mbështetje financiare për të siguruar një vendbanim të përkohshëm deri sa qytetari të jetë në gjendje të sistemojë situatën.