
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar pas bllokimit nga Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina, të pjeshkëve me pesticide nga Shqipëria. Përmes një njoftimi AKU thekson se në Kroaci produkti ishte dërguar i gjithi për eksport dhe se nuk ishte shpërndarë në tregun vendas. Sipas njoftimit të AKU-së, sasia prej 5562 kg që u dërguan drejt Kroacisë është asgjësuar.
NJOFTIMI:
Më datë 22.08.2025, Shqipëria është njoftuar nga Sistemi RASFF, në kategorinë Njoftim për refuzim në kufi me numër reference 2025.6367 me temë: “Nikel në pjeshkë me origjinë nga Shqipëria”, të njoftuar nga Kroacia.
Nga analizat e kryera në shtetin kroat, është konstatuar prania Nikel mbi normën e lejuar. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, rasti i kaloi për ndjekje strukturave të Drejtorisë Rajonale të AKU Fier. U krye inspektim në OBU eksportues, ku rezultoi se nuk ka gjendje të produktit në magazinat e tij.
Subjekti disponon sistem gjurmueshmërie, ku u verifikua se produkti është dërguar i gjithi për eksport dhe nuk është shpërndarë në tregun vendas.
Sasia prej 5562 kg pjeshkë janë dërguar drejt Kroacisë, ku dhe janë asgjëuar pas rezultatit të analizës laboratorike. Rasti iu referua dhe AKVMB për masa të mëtejshme. AKU ka bërë edhe njoftimin përkatës mbi rezultatet e verifikimeve në kategorinë e njoftimeve RASFF.