Pas disa ditësh të mbizotërimit të temperaturave përvëluese, vendi ynë pritet të përjetojë një rënie graduale të valës së të nxehtit duke nisur nga dita e enjte.
Kjo u bë e ditur nga meteorologia Anira Gjoni gjatë një lidhje live për Euronews Albania, ku analizoi situatën e motit dhe ndikimin e tij në përhapjen e zjarreve.
Nga dita e enjte, vala e të nxehtit do të fillojë të tërhiqet më ndjeshëm, me temperatura që pritet të zbresin në 34 gradë Celsius, ndërsa të premten ato do të bien deri në 32 gradë. Një rritje e lehtë pritet të shtunën, me vlera rreth 35 gradë Celsius.
“Temperaturat ekstreme që kemi parë këtë gusht nuk do të rikthehen në ditët në vijim,” u shpreh Gjoni.
Sipas Gjonit, të martën temperaturat arritën në 41 gradë Celsius në zonat e ulëta, 37 gradë në bregdet dhe 34 gradë në zonat malore.
Për ditën e mërkurë parashikohen vlera pak më të ulëta, 39 gradë Celsius në zonat e ulëta, 35 gradë Celsius në bregdet dhe 32 gradë Celsius në relievet malore.
Zonat më të rrezikuara nga i nxehti mbeten ato të ultësirës perëndimore, ku temperaturat gjatë orëve të pasdites qëndrojnë në vlera të larta dhe mund të përkeqësojnë më tej situatën.
“Për javën e fundit të gushtit, parashikimet tregojnë se do të kemi ende ditë të nxehta, me temperatura në intervalin 35–36 gradë Celsius, por jo vlera ekstreme si javët e mëparshme,” shtoi ajo.
“Nuk mund të themi se është viti më i nxehtë, por jemi ende brenda një prej viteve më të nxehta të regjistruara. 2024, në nivel global, vijon të jetë viti më i nxehtë deri tani,” tha meteorologia.
E pyetur për situatën e zjarreve, Gjoni tha se faktori njeri vijon të mbetet shkaku kryesor i vatrave aktive dhe rrezikshmërisë së lartë në shumë zona të vendit.
“Nuk janë temperaturat 41–42 gradë Celsius që shkaktojnë zjarrëvënien, nuk kemi kushtet ideale për vetëndezje, shkaku kryesor vijon të mbetet veprimi i qëllimshëm apo pakujdesia njerëzore,” u shpreh ajo.
Ndërsa vala e të nxehtit tregon shenja të tërheqjes, situata me zjarret mbetet serioze dhe shqetësuese në disa pjesë të territorit.
Sipas Gjonit, të gjitha qarqet e vendit paraqesin rrezikshmëri të lartë për përhapje zjarresh, përfshirë Shkodrën (veçanërisht në jug të saj), Lezhën, Kukësin, Elbasanin dhe Tiranën, ku zonat jugore janë më të ekspozuara.
“Megjithatë, rënia e temperaturave gjatë fundjavës pritet të ndihmojë në stabilizimin gradual të situatës së zjarreve,” përfundoi meteorologia.