LAMTUMIRË KOLOSI I KINEMATOGRAFISË SHQIPTARE! Ceremoni shtetërore e homazhe publike për Dhimitër Anagnostin

1
lamtumire-kolosi-i-kinematografise-shqiptare!-ceremoni-shteterore-e-homazhe-publike-per-dhimiter-anagnostin
LAMTUMIRË KOLOSI I KINEMATOGRAFISË SHQIPTARE! Ceremoni shtetërore e homazhe publike për Dhimitër Anagnostin

Homazhet në nder të regjisorit Dhimitër Anagnosti do të zhvillohen ditën e martë, datë 2 shtator, në Hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Ishte e bija e regjisorit të ndjerë, Juna Anagnosti, e cila shkroi në profilin e saj në rrjetet sociale për organizimin e homazheve në TKOB, prej orës 10:00 – 13:00, ndërsa nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit u bë me dije se do të ketë një ceremoni shtetërore homazhesh publike.

Regjisori i shquar i kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, mbylli sytë përgjithmonë, ditën e sotme, pas një sëmundjeje të gjatë.
Në respekt të thellë, ndaj figurës së shquar e trashëgimisë që la pas Anagnosti, institucione dhe personalitete të shumta reaguan menjëherë pas këtij lajmi të hidhur.
Dhimitër Anagnosti ishte i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti.

JETËSHKRIMI

Lajmin e hidhur për humbjen e regjisorit të mirënjohur të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, do ta jepte dje e bija, Juna, përmes një publikimi në rrjetet sociale, ku shkroi:

“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë ju binde ligjit të jetës. Lamtumirë babush!”

Dhimitër Anagnosti ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare.

Ai lindi në fshatin Vuno, Himarë, më 23 janar të vitit 1936. Kreu shkëlqyeshëm gjimnazin “Ali Demi”, Vlorë. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik – VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kino-operator. Anagnosti ka realizuar filma, në cilësinë e regjisorit dhe skenaristit e gjithashtu ka shkruar romane dhe drama.

Xhiroi si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes” – sipas tregimit të Hemingëay-t, që u vlerësua me “Çmimin e Parë” në Festivalin e Shkollave Kinematografike në Hollandë (1961).

Pas studimeve u emërua në Kinostudion “Shqipëria e Re” ku dha kontributin e tij të gjatë e të rëndësishëm si regjisor, skenarist e kino-operator në zhvillimin e artit të ri të kinematografisë shqiptare. Filmat e tij janë vlerësuar e vazhdojnë të vlerësohen nga publiku e spektatori shqiptar.

Puna e tij si kineast është vlerësuar me tri Çmime të Republikës së Shqipërisë (1969, 1979, 1983); me tri Kupa të Festivaleve të Filmit Artistik Shqiptar e shumë çmime të tjera.

Filmat më të spikatur, si “Lulëkuqet mbi mure”, “Në shtëpinë tonë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit” etj., janë vlerësuar me çmime ndërkombëtare në vitet (1980, 1983, 1985, 2005, 2006).

Në vitin 1987 u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”, ndërsa në vitin 1995 me “Çmimin e Karrierës” në Festivalin e 10 të Filmit Artistik Shqiptar.

Ka qenë deputet i Partisë Demokratike në parlamentin e parë pluralist shqiptar dhe në vitin 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në qeverinë e parë demokratike.

Për kontributin e tij në kulturën dhe artin shqiptar është vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë (2011).