“L*ftuan të shpëtojnë vëllanë”/ Letra e babait që humbi dy vajzat në aksident: Për herë të fundit, më kërkuan një darkë

1
“l*ftuan-te-shpetojne-vellane”/-letra-e-babait-qe-humbi-dy-vajzat-ne-aksident:-per-here-te-fundit,-me-kerkuan-nje-darke
“L*ftuan të shpëtojnë vëllanë”/ Letra e babait që humbi dy vajzat në aksident: Për herë të fundit, më kërkuan një darkë

Humbja e motrave Dhimaku në një aksident rrugor ishte ndër ngjarjet tragjikë që tronditën vendin këtë verë. Dy jetë të reja u shuan në një aksident fatal.

Ela Dhimaku 22 vjeçe ishte drejtuesja e mjetit tip Lancia që u përplas me një automjet tip ‘Audi’ të drejtuar nga 23-vjecari Kevi Norra, ndërsa motra e saj Rezi Dhimaku 20 vjeçe ishte pasagjere.

Përmes një letre, babai i vajzave të ndjera shpreh dhimbjen për humbjen e dy vajzave të tij dhe sfidën për kurimin e djalit, i cili vijon betejën me leuçeminë.

“Kur u ndava për herë të fundit nga vajzat e mia, më kërkuan një darkë, vetëm një mbrëmje me mua. Më folën me një zë që më dridhet ende në shpirt: ‘Dalim babi, të lutem, se ndoshta nuk shihemi më’. E dinin që do shkoja në stan, në mal, ku rrija më shumë se një muaj. Ndoshta e ndjenin diçka, një parandjenjë që unë e injorova”, shkruan babai në letrën e tij.

“Nuk pranova. Jo se nuk i doja por se nuk munda ta harxhoja lekët e vajzave të nxjerra me aq sakrifica. Ishim në luftë me leuçeminë e djalit të vogël, Islit. Dhe mendova se ishte më mirë të kurseja. Silueta e tyre më është ngulitur në mendje e shpirt. Qëndronin te dera, të heshtura me kokën ulur. I përshëndeta me dorë dhe humba pas kthesës së rrugës. Ngjita malin në këmbë, drejt stanit, 3 orë ecje mes ferrave, shkurreve në terrenin e thepisur. Ishte ora 20:30 kur më ra telefoni. Një zë i trazuar më tha: ‘Ka ndodhur një aksident, por nuk jemi të sigurt; mund të jenë vajzat e tua’. M’u ngri zemra. Elvisa dhe Rozina, a janë mirë? A janë gjallë?”

Vrapova nëpër natë, në terr, nëpër gurë e humnera për të mësuar të vërtetën. Nuk më mbante më toka, më mbante vetëm dhimbja. Në gjysmën e rrugës, një therje më çau kraharorin, si një parandjenjë tragjedie. Pas vetëm dy minutash, një tjetër telefonatë. E hapa me duart që më dridheshin e atë zë s’do e harroj kurrë: Riza, bëhu i fortë, vajzat na lanë”. Në atë natë të zezë, mes askundit, humba gjithçka. U ula aty, nuk doja të ngrihesha më. Zbritjen nga mali që zgjat tre orë, e bëra për një orë e gjysmë i shkatërruar, por i gjallë për të parë vdekjen me sytë e mi”.

Elvisa dhe Rozina u shuan në pak sekonda, mbrëmjen e 24 gushtit në aksidentin tragjik, ndërsa udhëtonin nga fshati i tyre drejt Sarandës. Kishin marrë një tezgë këtë vit e punonin si shitëse ambulante në Sarandë, shisnin shishqebap, bukë me qofte e misra. Ishin shumë të lumtura sepse çdo para e fituar, i afronte edhe më shumë me kurimin e vëllait 7 vjeçar.

Isli është diagnostikuar me leuçemi para pothuajse 4 vitesh. Familja nuk i ka pasur kushtet për ta ndjekur, kanë bërë sa kanë mundur këtu në Tiranë dhe disa herë e kanë dërguar në Athinë, por asnjë rezultat. Elvisa dhe Rozina ishin krahët e prindërve të tyre. Fëmijërinë e kaluan nëpër male, në stane, duke ndihmuar me bagëtitë.

“Flinin mbi xhupat e prindërve, të shtruar mbi gurë. Me duar të njoma mblidhnin çaj dhe e shisnin. Edhe sot, në muret e shtëpisë së tyre, varen tufat e fundit të çajit që ato mblodhën para se të ndodhte aksidenti. Kishin zgjedhur të ndihmonin familjen por dhe të përqafonin rrugën e dijes. Elvisa kishte mbaruar studimet për Teknik Laboratori, në 1 shtator do të fillonte punë. Ndërsa Rozina këtë vit do të ishte në vitin e tretë për infermieri. Dëshironin të vazhdonin ëndrrat për t’u bërë dikushi, por mbi të gjitha, një ditë të mund të shëronin vëllain e tyre nga leucemia”, shkruan i ati.

Por sot nuk janë më. Prindërit janë të shkatërruar e djali i vogël rritet pa dy motrat që ishin gjithçka për të. Shtëpia është bosh, dhimbja mbizotëron e zija ka pushtuar çdo cep. Vetëm rikthimi i Islit të shëruar mund të sjellë jetë sërish në familjen Dhimaku.