
Analistja Anduena Llabani tha në “MCN Live” se vizita e Altin Dumanit në SHBA i ka vënë të gjithë në ankth, ndërsa shtoi se më herët DASH ishte përgatitur të shpallte si organizatë terroriste një nga bandat e Elbasanit ose Durrësit. Sipas Llabanit me kthimin e kreut të SPAK nga SHBA në Shqipëri do të kemi veprime ndaj bandave kriminale. “Vizita e Dumanit është mbajtur shumë diskrete qoftë nga këshilltari dhe zëdhënësi.
Por të gjithë janë në ankth për vizitën e Dumanit, opozita thotë që ka shkuar për McGonigalin, pozita thotë ka shkuar për Berishën. Palët e tjera thonë që do ketë arrestime. Ka pasur edhe zëra që thonë se Dumani ka shkuar për të marrë garanci pasi mund të jetë ndjerë i kërcënuar, jo vetëm nga grupe kriminale, por edhe politika. Vizita e Dumanit është planifikuar që në gusht. Ajo që kam informacion është që DASH ishte përgatitur që një nga grupet, Elbasani ose Durrësi do të shpallej organizatë terroriste. Grupet kriminale pastrimin e parave s’e bëjnë vet, por me leje. Të drejtën që ti të ndërtosh e ka i pari i vendit, kryeministri.
Shqetësimet për pastrim parash, fuqizimin e grupeve kriminale shqiptare, tregon që ne kemi kaluar vijën e kuqe. Unë them se do kemi veprime”. Sipas saj qëllimi i Kodit të ri Penal është që çështjet e shpërdorimit të detyrës të kalojnë nga SPAK-u te prokuroritë e rretheve. “Kam komunikuar me z.Manja kur u bë publik një pjesë e draftit në media, dhe ai ka pretenduar që një pjesë e mirë e palëve të interesit nuk janë ndjerë fare dhe janë injoruar. Nuk e di nëse kjo është justifikim apo mburojë e MD. Pretendimet e tij kanë qenë që grupet e interesit kanë qenë shumë pak të interesuar. Topi i është lënë Arben Rakipit që duhet ta gjuajë në portë dhe të shënojë. Aktualisht ministri i Drejtësisë është i zhveshur nga çdo përgjegjësi.
Në rast ekspertësh dhe specialistësh ky kod duhet të rishikohet. Sepse ligjet e ndryshuara janë të padenja për një shtet që aderon në BE. Me këtë kod akuza për shpërdorim detyre do të hiqet me ligj. Shumë zyrtarë të administratës mund të shpëtojnë falë ndryshimit të këtij ligji. Qëllimi është që çështja të kalojë nga SPAK-u te Prokuroria e përgjithshme, dhe këtë synon drafti”. Duke folur mbi magjistratët e rinj, Llabani tha: “Të shohësh qytetet e tjera i ke me dy prokurorë ose tre gjyqtarë. Nevoja për staf, gjyqtarësh dhe prokurorësh, ka bërë që Shkolla e Magjistraturës të kalojë njerëz që mbase s’e kanë merituar, se po flasim për një nivel jo të lartë të studentëve. Ne dimë mirë kush i mban kostot”.