Gazetari Sokol Bregu ka deklaruar se Ragip Gila, autor i masakrës me dy viktima dhe dy të plagosur në Shkodër, e kishte vrasjen e parë dhe kjo vihet re në lëvizjet e tij të çorientuara deri në pikën që e zë gjaku.
Sipas Bregut kontrolli në banesën e Lulzim Kullës konfirmon lidhjen me vrasjet e djeshme në Shkodër.
“Vrasësi mendoj se nuk ka vrarë më parë. Mënyra si qëllon, as ikën. Hap zjarr që mund të rrezikojë të gjithë klientët. Nuk është problem i tij me shënjestrën dhe ka hapur shumë zjarr për të kapur shënjestrën.
Jo për të mbrojtur drejtësinë, por ne çdo vit arrestojmë 1100 persona për drogë dhe nuk ka vend. Kur kryen 2/3 e dënimit i lind e drejta të kërkojë lirimin me kusht dhe meqë më parë nuk ka qenë i dënuar.
Policia ka bërë kontroll te Lulzim Kulla dhe nuk do ta bënte kot. Lulzim Kulla është njeriu nga nisi gjithë saga në janar 2018 në ditën e festës së policisë. Këtu nisi saga me më shumë se 30 viktima”, tha Bregu në emisionin “Të Paekspozuarit”.
Sakaq, Policia e Shkodrës ka shpallur sot në kërkim edhe dy bashkëpunëtorët në masakrën e djeshme në lagjen “Qemal Stafa” të këtij qyteti, ku autori Ragip Gila qëlloi me armë zjarri dhe si pasojë humbën jetën 2 persona dhe u plagosën 2 të tjerë.
Sipas policisë 39-vjeçari Barush Bregu (Bajram Bregu) dhe një 17-vjeçar janë shpallur në kërkim pasi dyshohet se kanë siguruar armatimin.
Gjatë kontrollit në banesën e një shtetaseje e cila jeton jashtë vendit, shtetasit e mësipërm e përdornin si bazë për këtë aktivitete kriminale, u sekuestruan 7 armë zjarri, 45 kapsolla detonatore, municion luftarak, një Audi me targa të vjedhura, 5 dronë, laptopë dhe pajisje të tjera.