Ish-kryeministri Sali Berisha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të analistit dhe publicistit Artur Zheji. Pas homazheve në nder të Zhejit, në një deklaratë për mediat Berisha e cilësoi Zhejin si një personalitet të spikatur të gazetarisë shqiptare dhe një zë unik në analizat e tij, duke theksuar respektin që ai fitonte edhe kur mendimet e tij nuk ndaheshin.
“Erdha të shpreh ngushëllimet më të ndjera dhe nderimin tim të thellë për Artur Zhejin, një personalitet i mirënjohur i gazetarisë me një eksperiencë të gjatë, i analizës, publicistikës, botimeve. Artur Zheji ishte një zë në vete në analizat e tij, në të cilat edhe po të mos ishe dakord me pikëpamjen, mënyrën civile të servirjes dhe të shtruar të mbrojtjes që ai bënte, do ta respektoje patjetër.
Me këtë rast shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së tij të nderuar, miqve, shokëve dhe lutem së bashku me ta që shpirti i tij, shpirti i Artur Zhejit të gjejë paqen e merituar”, deklaroi Berisha.