Masakra me 2 të vrarë dhe dy të plagosur në qendër të Shkodrës, drejtori i Policisë flet për arritje: Kemi vendosur në funksion të gjitha kapacitetet për zbardhjen e krimit

3
masakra-me-2-te-vrare-dhe-dy-te-plagosur-ne-qender-te-shkodres,-drejtori-i-policise-flet-per-arritje:-kemi-vendosur-ne-funksion-te-gjitha-kapacitetet-per-zbardhjen-e-krimit
Masakra me 2 të vrarë dhe dy të plagosur në qendër të Shkodrës, drejtori i Policisë flet për arritje: Kemi vendosur në funksion të gjitha kapacitetet për zbardhjen e krimit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda ka reaguar lidhur me masakrën në Shkodër të një dite më parë (8 Shtator) ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.

Në një mesazh drejtuar efektivëve të Policisë Shkodër, kryepolici flet për arritje teksa shprehet se kanë vendosur në funksion të gjitha kapacitetet për zbardhjen e krimit.

“Policia i ka vënë të gjitha kapacitetet e saj më të mira hetimore dhe operacionale në funksion të zbardhjes së rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me krimin e djeshëm, por edhe të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në qarkun Shkodër”, theksoi ai.

Proda vlerësoi punën e efektivëve që vendosën në pranga autorin e krimit Ragip Gila, i cili u arrestua teksa tentoi të arratisej pasi qëlloi me breshëri plumash drejt viktimave dhe të plagosurve brenda lokalit në qendër të qytetit.

Mesazhi i Ilir Prodës:

Të nderuar kolegë të Policisë së Shkodrës,

Ju shpreh mirënjohjen për angazhimin tuaj maksimal gjatë këtij 24-orëshi intensiv për Policinë.

Reagimi juaj i menjëhershëm, i guximshëm dhe profesional rezultoi me kapjen dhe çuarjen përpara drejtësisë të autorit të krimit të djeshëm, ngjarje e cila dëshmoi sërish rëndësinë e misionit të Policisë, si përballja e parë frontale me krimin dhe kontingjentin e rrezikshëm të tij.

Gjej rastin që, nëpërmjet këtij mesazhi, të ngushëlloj familjarët e 2 viktimave, të uroj shërim të shpejtë për të lënduarit, si dhe t’i garantoj se Policia i ka vënë të gjitha kapacitetet e saj më të mira hetimore dhe operacionale në funksion të zbardhjes së rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me krimin e djeshëm, por edhe të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në qarkun Shkodër.

Këtë vendosmëri e dëshmoi edhe goditja në lagjen “Guerrile”, ku informacioni i administruar me konfidencialitet të plotë dhe profesionalizmi operacional çuan në shkatërrimin e një baze kriminale, të pajisur me arsenal armësh dhe sende të tjera në dispozicion të krimit. Gjithashtu, çuan në identifikimin e 2 përkrahësve të autorit të krimit të djeshëm.

Së fundi, dua të garantoj qytetarët e qarkut Shkodër dhe të mbarë Shqipërisë se beteja jonë për sigurinë e tyre është e përditshme dhe e palëkundur, dhe se po kryhet një punë intensive hetimore dhe operacionale për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe për të zbardhur ato të ndodhura.

Gjithashtu, i ftoj qytetarët të bashkëpunojnë intensivisht me strukturat e Policisë, pasi vetëm në këtë mënyrë përmbushet objektivi ynë madhor i përbashkët: siguria publike.”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
Drejtues Madhor Ilir Proda