
“Ora News” ka siguruar pamjet ekskluzive të goditjes me armë ndaj një automjeti tip “Golf 7” mesditën e sotme në Kombinat, ku fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz.
Pamjet filmike tregojnë autorin e krimit që zbret nga një automjet me automatik në dorë dhe del në kryqëzimin e rrugës “Petraq Leka” në Kombinat.
Personi që shihni në këto pamje filmike tashmë është shpallur në kërkim nga policia. Ndërkohë lëvizjet e tij me armë në dorë tregojnë se kërkon personin që kishte debatuar disa çaste më parë pikërisht në të njëjtin vend ku ai shfaqet me armë.
Në videon e siguruar nga gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, shfaqen momentet e konfliktit mes disa persona dhe autorit të krimit. Mes personave që fillojnë ta godasin, është dhe E. Kurteshi.
Banorë të zonës kanë ndërhyrë për ndarjen e palë dhe pasi situata ka kaluar dhe palët janë larguar, në vendin e ngjarjes rishfaqet sërish personi i dhunuar, por këtë herë ai del nga makina e tij me një automatik kallashnikov në dorë dhe ecur lirshëm në rrugë, duke kërkuar personat që e dhunuan.
Ai rikthehet sërish në makinën e tij dhe futet në rrugën “Petraq Leka”, ku më pas ka mundur të shquajë E. Kurteshin që po lëvizte në rrugë me automjetin “Golf 7” ngjyrë e bardhë.
Drejt pjesës së pasme të makinës janë lëshuar mbi 10 plumba kallashnikovi, që fatmirësisht nuk kanë prekur asnjë prej tyre E. Kurteshin.
Tashmë policia e Tiranës në bashkëpunim dhe më komisariatin e Nr.6, po kryejnë një sërë veprimesh hetimore me qëllim kapjen e autorit të krimit.