Ministria e Mbrojtjes holandeze njoftoi të hënën se vendi do të dhurojë 500 milionë euro në kuadër të këtij mekanizmi të ri, të quajtur “Lista e Prioriteteve të Kërkesave të Ukrainës” (PURL).
Holanda do të jetë vendi i parë që kontribuon financiarisht në mekanizmin e ri të NATO-s për blerjen e armëve nga SHBA-të dhe dërgimin e tyre në Ukrainë, një përpjekje për të ndihmuar Kievin në mbrojtjen nga sulmet e intensifikuara ruse.
Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar muajin e kaluar se SHBA do të furnizojë me armë Ukrainën, por me kushtin që ato të paguhen nga vendet evropiane, pa dhënë detaje mbi mënyrën e funksionimit të kësaj skeme.
Sipas Reuters, NATO, SHBA dhe Ukraina janë në proces zhvillimi të këtij mekanizmi financiar të ri për të mbështetur ushtrinë ukrainase.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përshëndeti vendimin e Holandës, duke theksuar:
“Është e mrekullueshme të shohësh Holandën të marrë iniciativën dhe të financojë paketën e parë të pajisjeve ushtarake amerikane për Ukrainën, në kuadër të kësaj nisme të NATO-s.”
Rutte shtoi gjithashtu se ka dërguar letra zyrtare për të gjitha shtetet anëtare të NATO-s, duke i ftuar të bashkohen në këtë nismë.
“Pres shumë shpejt njoftime të tjera të rëndësishme nga aleatë të tjerë,” tha ai.
Edhe ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, përshëndeti kontributin holandez, duke e quajtur atë si një hap të parë mes shumë të tjerëve që do të ndjekin. Ai shtoi se në javët në vijim priten zhvillime të rëndësishme në këtë drejtim.