Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), në bashkëpunim me agjencinë e sigurisë Shin Bet, njoftuan se kanë vrarë në një sulm ajror në Gaza figurën më të njohur publike të Hamasit, Abu Obeida, zëdhënësin e krahut ushtarak të organizatës. Ministri i mbrojtjes Izrael Katz e quajti operacionin “të përsosur” dhe paralajmëroi se edhe drejtues të tjerë të lartë të Hamasit do të jenë në shënjestër teksa forcat izraelite po intensifikojnë ofensivën për marrjen e kontrollit të qytetit.
Nga ana tjetër, Hamasi nuk ka konfirmuar ende vrasjen. Megjithatë, burime lokale raportuan se gjatë bombardimeve në lagjen e populluar al-Rimal janë vrarë të paktën 7 persona dhe janë plagosur rreth 20 të tjerë, mes tyre edhe fëmijë.
Si u zhvillua operacioni
Sipas deklaratës së përbashkët të IDF dhe Shin Bet, operacioni u bazua në të dhëna të sakta të inteligjencës që zbuluan vendstrehimin e Obeidës. Objektivi ishte një pallat gjashtëkatësh, ku apartamenti i shënjestruar përdorej si klinikë dentare. Sulmi u krye me pesë raketa, të lëshuara njëkohësisht nga dy pozicione të ndryshme, duke goditur katin e dytë dhe të tretë të ndërtesës.
Dëshmitarë në vendngjarje thanë se menjëherë pas shpërthimit në ajër fluturuan shuma të mëdha parash, që më pas u morën nga banorë të zonës, por në fund u rikuperuan nga militantët e Hamasit.
Roli i Abu Obeidës
Obeida ishte një nga figurat më të spikatura të Hamasit në Lindjen e Mesme, i njohur për paraqitjet e tij të rregullta në video propagandistike, gjithmonë i maskuar me shall palestinez. Ai shihej si zëri dhe imazhi i brigadave të armatosura të Hamasit, duke shërbyer si simbol për përkrahësit e grupit.
Sipas Tel Avivit, eliminimi i tij përfaqëson një goditje të rëndë për aparatin propagandistik të Hamasit, pasi Obeida ishte ndër figurat e pakta të mbetura nga udhëheqësia ushtarake pas sulmeve të 7 tetorit 2023 kundër Izraelit.