
Ish-kryeministri dhe kreu i PD, Sali Berisha ka reaguar ndaj ministrit të Jashtëm, Igli Hasani duke e quajtur “narko-ministri” dhe duke theksuar se ai është një avokat i farsës elektorale të 11 majit.
Sali Berisha ngriti pyetjen retorike se si mund të dërgohej një letër nga ministri i Jashtëm për misionet ndërkombëtare të vëzhgimit vetëm një orë pas publikimit të raportit të tyre.
Sipas tij, vetëm opozita mund të vepronte kështu, ndërsa veprimi i ministrit tregon se në Shqipëri partia dhe shteti janë bërë një dhe zgjedhjet ishin vetëm një farsë.
“Një letër atyre misioneve mund t’u dërgonte opozita, por kurrë dhe në asnjë radhë ministri i Jashtëm nuk bëhej dot palë me PS-në veçse duke dëshmuar atë që kanë shkruar misionet e vëzhgimit se në Shqipëri partia dhe shteti ishin një dhe për rrjedhojë nuk mund të ketë zgjedhje por veçse farsë”, thote Berisha.
Berisha: Narko-ministri i Jashtëm reagoi dje në mënyrën më të papërgjegjshme, duke faktuar pakundërshtueshëm se ai, njëlloj si Altin Troplini, është një ushtar i Edi Ramës, është një avokat i farsës elektorale të 11 majit 2025.
Për çdo qytetar shqiptar, unë shtroj pyetjen: një letër misioneve vëzhguese ndërkombëtare vetëm një orë pas publikimit të raportit të tyre, a mund t’i dërgonte ministri i Jashtëm i vendit?
Një letër atyre misioneve mund t’u dërgonte opozita, por kurrë dhe në asnjë radhë ministri i Jashtëm nuk bëhej dot palë me PS-në veçse duke dëshmuar atë që kanë shkruar misionet e vëzhgimit se në Shqipëri partia dhe shteti ishin një dhe për rrjedhojë nuk mund të ketë zgjedhje por veçse farsë.
Pra, letra e ministrit dhe reagimi i tij mbrapa, fakton edhe njëherë se shqiptarët u përballën me një farsë elektorale.
Ministri vetë, është bashkë me Dumanin, një avokat i këtij krimi të shëmtuar.
Unë dënoj me forcën më të madhe këtë deklaratë, reagimin e tij.
Sikundër deklaroj edhe përpjekjet e Altin Troplinit për të përdorur ligjin kundër opozitës.
Keni parasysh sot se deputeti Asllan Dogjani është në ndjekje absolutisht pa asnjë shkak ligjor.
Tani përpiqen, po merren me një problem të zgjedhjeve të vitit 2023 me aktivistin e PD, Shkëlqim Hoxha sepse disa paskan paguar disa bileta për të ardhur dhe votuar në Rrogozhinë.
Pra, gjithçka bëhet për të mbuluar farsën.