
Mbetet mister arsyeja e ekzekutimit, dyshohet me armë me silenciator, të 34-vjeçarit Kristian Kola, i cili u qëllua për vdekje jashtë një lokali mbrëmjen e 4 shtatorit në qendër të Shkodrës.
Kristian Kola dyshohet se është ekzekutuar nga vrasës me pagesë. Deri më tani policia nuk ka arritur ende në gjurmët e autorëve të cilët kanë kryer një ekzekutim të stilit mafioz. Dy persona me një motor sipas burimeve policore e kanë ruajtur 34-vjeçarin përballë lokalit ku po qëndronte në zonën e Kinemasë për një kohë relativisht të gjatë. Viktima ka qenë edhe me 2 persona të tjerë fillimisht por në ato momente autorët kanë bërë një xhiro duke vëzhguar situatën dhe më pas janë rikthyer në pikën e tyre të vrojtimit duke mos qëlluar. Në momentin kur dy personat e tjerë janë larguar dhe Kristian Kola do të merrte makinën e tij për t’u larguar, autorët kanë përllogaritur lëvizjen dhe janë afruar duke e qëlluar disa herë me pistoletë me silenciator. Më pas janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur.
Njëri prej autorëve është ulur nga motori dhe e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend dhe më pas është larguar bashkë me drejtuesin e motorit.
Të shtënat nuk janë dëgjuar në zonë për shkak se pistoleta dyshohet se ka qenë me silenciator. Policia ka dyshime se motori me të cilin lëvizën autorët e kanë ndjekur para dy netësh në zonën e Bardhajv, por pa arritur që ta bllokojnë ndërsa është duke u verifikuar nëse është i njëjti apo jo edhe pse hetuesit flasin për një tjetër motomjet në këtë ngjarje. Viktima ishte një person që lëvizte lirshëm në Shkodër gjatë gjithë ditës dhe nuk ka patur precedent të mëparshëm kriminal. Bashkë me babain e tij kishin një firmë ndërtimi dhe sëfundmi po bënin shtrimin e pllakave në rikonstruksionin e Kinemasë në Shkodër. Para afro një viti e gjysmë viktima ka pasur një konflikt për motive të dobëta por atë konflikt e ka mbyllur dhe nuk qëndron si pistë hetimore për policinë.
Ndërsa 34 vjeçari ka qenë dy herë për periudha të shkurta jashtë Shqipërisë por as atje nuk raportohet për përfshirjen e tij në ndonjë konflikt të mundshëm. Grupi hetimor vijon punën bashkë me prokurorinë për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë të ndodhur në Shkodër.