Lihet në masën “arrest me burg” edhe inspektori tjetër i IMT, Klajdi Zhilla, për korrupsionin prej 1 mijë eurosh në këmbim të mosheqjes së një tende në Kombinat.
Zhilla u vetëdorëzua disa ditë pas operacionit të Policisë dhe SPAK, ndërsa të shtunën në burg u la edhe inspektori Gerald Fuçia.
Burime bëjnë me dije se brenda seancës gjyqësore Klajdi Zhilla dhe avokati i tij Andi Skënderi kanë mohuar akuzat. Zhilla pretendon se nuk ka qenë në dijeni të pazareve që janë bërë për subjektin në fjalë. Zhilla thotë se atë ditë ai ka qenë me shërbim në një tjetër subjekt i cili ishte planifikuar për prishje. Madje thotë se të nesërmen ai ka shkuar në një lokal me porosi të kolegut të tij, Geraldo Fuçia, për të marrë një porosi. Sipas avokatit, edhe transkriptet dhe fabula e organit të akuzës është ndërtuar gabim.
Sipas burimeve zyrtare, hetimet për këtë rast nisën nga Policia e Tiranës dhe më pas u referuan pranë SPAK, pasi një qytetar, pronar i një lokali, ka kallëzuar inspektorët duke i akuzuar se i kishin kërkuar 1,000 euro ryshfet për një tendë të vendosur pa leje.