Ndarja nga jeta e Artur Zhejit! Robert Aliaj: Me largimin e tij bota e gazetarisë dhe televizionit ka humbur shumë!

1
ndarja-nga-jeta-e-artur-zhejit!-robert-aliaj:-me-largimin-e-tij-bota-e-gazetarise-dhe-televizionit-ka-humbur-shume!
Ndarja nga jeta e Artur Zhejit! Robert Aliaj: Me largimin e tij bota e gazetarisë dhe televizionit ka humbur shumë!

Artisti Robert Aliaj ka ndarë kujtimet e tij personale për gazetarin dhe publicistin Artur Zheji, i cili ndërroi jetë të shtunën (23 gusht) në Sarandë pas një arrestit kardiak. I ftuar në studion e News24, Aliaj foli me ndjeshmëri për lidhjen e tij të hershme me Zhejin dhe ndikimin që ai pati në jetën publike shqiptare.

Aliaj tregoi se miqësia e tyre kishte nisur që në shkollën fillore, dhe se gjatë viteve kishin ruajtur një komunikim të thellë dhe të sinqertë, të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta intelektuale dhe njerëzore.

“Arturi ishte një njeri që nuk paragjykonte askënd. Kishte një tolerancë të rrallë për të dëgjuar dhe për të kuptuar këndvështrimet e të tjerëve,” – u shpreh Aliaj.

Artisti vlerësoi ndikimin e Zhejit në fushën e gazetarisë dhe medias, duke theksuar se ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të rëndë për mendimin kritik dhe lirinë e shprehjes në Shqipëri.

“Me ikjen e Arturit, gazetaria dhe televizioni shqiptar kanë humbur një nga zërat më të artikuluar dhe më të guximshëm,” – tha Aliaj.

“Unë me Artur Zhejin kam pasur një miqësi të vjetër, që në shkollën fillore. Kam gjetur shumë pika të përbashkëta me të edhe në bisedet tona. Ne kishim një respekt reciprok me njëri-tjetrin. Edhe në moshë të vogël kemi patur edhe disa përplasje idesh. Kam kaluar kohë bashkë me Zhejin, dhe është një dhimbje e madhe.

Arturi e kishte kuptuar shumë mirë edhe gjuhën politike shqiptare. Ai ishte një figurë e ndërtuar në gazetari dhe shumë dimensional. Nga Zheji unë kam marrë këshilla shumë të vyera. Ai ishte një njeri tolerant dhe jo konfliktual dhe tek ai nuk ekzistonte paragjykimi për njerëzit. Kur mora vesh për humbjen e tij jam ndjerë keq. Me largimin e Zhejit bota e gazetarisë dhe televizionit ka humbur shumë”, tha Aliaj