Policia e Torinos ka goditur një rrjet të trafikut të drogës, me një total prej 11 kg kokainë të kapur në aksione të ndryshme në Nichelino.
Tre persona të dyshuar u arrestuan. Ata janë 2 shqiptarë dhe një italian, që besohet se janë edhe drejtues të grupit të shpërndarjes së drogës në zonë.
Ndërhyrja e policisë u bë në momentin që po bëhej shpërndarja e një ngarkese prej 7,7 kg kokainë, nga një makinë në tjetrën.
Agjentët siguruan informacione për marrëveshjen e shkëmbimit në afërsi të zonës industriale të Nichelinos. Ata më pas organizuan një operacion mbikëqyrjeje që dha rezultate: disa orë më vonë, dy makina me 3 persona në bord mbërritën, pothuajse njëkohësisht.
Ndërsa njëra makinë ndaloi në një parking, tjetra bëri një xhiro përpara se t’i afrohej të parës. Drejtuesi i makinës së dytë doli nga automjeti me një qese najloni, iu afrua automjetit tjetër dhe disa çaste më vonë e vendosi atë në makinën e tij. Në atë pikë, oficerët ndërhynë.
Policia tha se u sekuestruan në total 11 kg kokainë, nga të cilët 7,7 tek personi me qese që i tërhoqi dhe të tjerat në bagazhin e makinës së dytë, ku ndodheshin dy personat e tjerë. Gjithashtu u sekuestruan edhe rreth 5 mijë euro cash. Në makinë ishte krijuar një ndarje e posaçme poshtë sediles së pasagjerit, për fshehjen e mallit, informon media.
Gjatë operacionit, i cili u shtri edhe në shtëpinë e të dyshuarve, u sekuestruan gjithashtu 4,800 euro dhe materiale paketimi të drogës. Të tre janë izoluar në ambientet e paraburgimit, në pritje të hetimeve.