
Vdekja e 36-vjeçares, Marjola Nakoleci e cila u vra nga bashkëshorti i saj 40-vjeçar Pandeli Nakoleci mëngjesin e së premtes në Volos, në sy të tre fëmijëve të tyre të mitur, u shkaktua nga një goditje në kraharor me një mjet të mprehtë, që i ngjante një thike kuzhine.
Ekspertiza mjeko ligjore po ashtu tregon se trupi i gruas së ndjerë kishte edhe një plagë të rëndë në qafë nga thika, si dhe plagë që tregojnë se ajo u përpoq të mbrohej.
Mediat greke po ashtu raportojnë se në trupin e saj janë konstatuar edhe dëmtime të tjera të ngjashme.
Kujtojmë 40-vjeçari u paraqit të dielën në mëngjes para prokurorit, nën masa të rrepta sigurie dhe i veshur me jelek antiplumb. Ndaj tij është ngritur akuza për vrasje me dashje, në kuadër të dhunës në familje. Ai ka kërkuar afat dhe do të japë dëshminë e tij të martën në mëngjes.
Ndërkohë, Prokuroria ka urdhëruar një hetim të menjëhershëm social nga Bashkia e Volosit për të vendosur se kush do të marrë kujdestarinë e tre fëmijëve, të cilët aktualisht ndodhen në kujdesin e familjes së viktimës.
Po ashtu, autoritetet po shqyrtojnë të dhënat mjekësore të autorit, duke përfshirë simptomat që ka paraqitur, kohën e qëndrimit në spital dhe çdo trajtim të mundshëm që i është dhënë.