Një grua shtatzënë dhe partneri i saj humbin jetën në rrethana të dhunshme

1
nje-grua-shtatzene-dhe-partneri-i-saj-humbin-jeten-ne-rrethana-te-dhunshme
Një grua shtatzënë dhe partneri i saj humbin jetën në rrethana të dhunshme

Një 34-vjeçar i pastrehë është arrestuar në Melburn, i dyshuar për vrasjen e një gruaje greko-australiane 39 vjeçe dhe të partnerit të saj. Policia thotë se sulmi ishte i qëllimshëm

Një burrë i pastrehë në Australi akuzohet për vrasjen e rëndë të një 39-vjeçareje greko-australiane shtatzënë dhe të partnerit të saj, të cilit dyshohet se i ka prerë kokën, brenda shtëpisë së tyre, të hënën në mbrëmje.

Policia u thirr në vendngjarje, në juglindje të Melburnit, mbrëmjen e së hënës, ku gjeti trupat e pajetë të Athina Georgopoulos, 39 vjeçe, dhe Andrew Gane, 50 vjeç, të cilët dyshohet se u vranë në mënyrë makabre.

Pak orë më vonë, policia arrestoi Ross Judd, 34 vjeç, në një stacion treni, rreth 7 kilometra larg nga vendi i ngjarjes. Ai doli para gjykatës të mërkurën, i akuzuar për dy vrasje.

Sulm i qëllimshëm

Sipas policisë, sulmi ndaj çiftit duket se ishte i qëllimshëm, megjithëse ende nuk është sqaruar marrëdhënia mes dy viktimave dhe të akuzuarit. Autoritetet po hetojnë gjithashtu një grafit të shkruar në pjesën e jashtme të shtëpisë së çiftit me fjalët “tradhti” dhe “mjaft më”.

Të dhënat e para tregojnë se i dyshuari mbërriti në shtëpinë e çiftit të hënën në mbrëmje dhe “më pas ndodhi një përleshje”, sipas deklaratës së policisë për mediat. “Nuk duket të ketë qenë një sulm i rastësishëm dhe nuk po kërkojmë për ndonjë person tjetër”, tha detektivi i grupit të vrasjeve, Dean Thomas, duke shtuar se i dyshuari duket se e njihte 50-vjeçarin Andrew Gane, por lidhja e tij me viktimat ende po hetohet.

Procesi gjyqësor

Gjatë seancës gjyqësore të së mërkurës së sotme në Gjykatën e Paqes në Melburn, prokurorët kërkuan një afat prej dhjetë javësh për përgatitjen e dosjes me provat – kërkesë që u pranua – për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe vonesave të pritshme në kryerjen e autopsisë.

Këto vonesa lidhen edhe me faktin se 39-vjeçarja që shikoni në foto ishte në muajin e pestë të shtatzënisë kur u vra.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

after content