Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 18:20 te ura në Komoran, në drejtimin Pejë – Prishtinë.
Naser Syla, drejtori i Emergjencës në QKUK ka bërë të ditur se si pasojë e aksidentit një person ka ndërruar jetë, 10 të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Syla njoftoi se dy nga të lënduarit janë në gjendje më të rëndë.
Rastin për IndeksOnline është konfirmuar edhe nga zëdhëndësi i policisë, Daut Hoxha, ku njoftoi se 6 vetura janë përfshirë në aksident ndërsa ka bërë të ditur se ka edhe të lënduar.
“Sot, më datë 11.08.2025, rreth orës 18:20, është raportuar një aksident trafiku me gjashtë automjete të përfshira dhe persona të lënduar, i cili ka ndodhur te udhëkryqi, te ura në Komoran, në drejtimin Pejë–Prishtinë.
Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, ndërkohë që janë njoftuar edhe ekipet e emergjencës mjekësore dhe njësia e zjarrfikësve, të cilat kanë reaguar për t’u ofruar ndihmën e nevojshme personave të përfshirë dhe për menaxhimin e situatës.
Policia e Kosovës po kryen veprimet e nevojshme hetimore dhe menaxhimin e trafikut në atë segment rrugor, ndersa për detaje të tjera do të njoftoheni me kohë.”, ka thënë Hoxha.