
Kur na ndajnë edhe një muaj nga nisja e Parlamentit, kreu i PD-së, Sali Berisha thotë se aksionin i opozitës do të jetë i fokusuar tek mobilizimi i qytetarëve për votën e lirë.
Në një konferencë me gazetarët, Berisha deklaroi se opozita dhe qytetarët shqiptarë nuk mund të votojnë kurrë si njerëz të lirë për sa kohë Edi Rama është në pushtet.
Sipas tij, largimi i kryeministrit aktual është kushti themelor për të garantuar një proces zgjedhor të ndershëm dhe të lirë.
Sipas tij, qëndresa e përgjithshme qytetare është rruga e vetme për të dalë nga kjo situatë dhe për të rikthyer demokracinë në vend.
“Opozita dhe shqiptarët duhet ta kenë dhe e kanë të qartë se kurrë me Edi Ramën nuk mund të votojnë si qytetarë të lirë. Largimi i Ramës është kushti i të gjitha kushteve që qytetarët të vendosin me vullnetin e tyre për qeverinë e ardhshme. Ndaj dhe PD do bëjë cdo gjë për të mobilizuar shqiptarët për votën e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë diasporën, ndaj përfaqësuesve të narkoshtetit në diasporë. Ata janë përfaqësues të shtetit armik të votës së lirë të shqiptarëve dhe kemi të bëjëm me një diktaturë autokratike që ka si forcë lëvizëse drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve. Ndaj dhe qëndresa e përgjithshme e qytetarëve shqiptarë është rrugëdalja nga kjo situatë”, tha Berisha.