“Nuk di ku t’i çoj më paratë”, përgjimet e grupit të kokainës, anëtarët ankoheshin se nuk fshihnin dot miliona euro

1
“nuk-di-ku-t’i-coj-me-parate”,-pergjimet-e-grupit-te-kokaines,-anetaret-ankoheshin-se-nuk-fshihnin-dot-miliona-euro
“Nuk di ku t’i çoj më paratë”, përgjimet e grupit të kokainës, anëtarët ankoheshin se nuk fshihnin dot miliona euro

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga përgjimet e grupit të kokainës që drejtohej nga Franc Çopja. Në komunikimet mes anëtarëve, që janë pjesë e dosjes voluminoze, shprehet shqetësimi për fshehjen e miliona eurove.

Në disa raste, ata mendojnë të investojnë në lingota ari apo në blerjen e sasive të mëdha të floririt.

Miliona euro të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë përfituar nga Franc Çopja, Ervis Çela dhe anëtarët e tjerë të grupit kriminal, grup i goditur pak ditë më parë nga Prokuroria e Posaçme.

Në dosje, SPAK ka argumentuar përmes provave të gjithë aktivitetin kriminal, bazuar edhe në zbërthimin e përgjimeve telefonike që Franc Çopja dhe Ervis Çela përdornin përmes aplikacioneve të koduara Sky ECC.

Në këtë dosje prej 282 faqesh, janë të zbardhura të gjitha komunikimet mes tyre, që nga porositja e kokainës nga Amerika Latine, te shpërndarja e saj në Europë, por edhe sjellja e milionave eurove në Shqipëri – para që në shumicën e rasteve pastroheshin në biznese të ndryshme apo në prona të paluajtshme.

Një pjesë interesante e dosjes janë edhe mesazhet që Ervis Çela i dërgonte Franc Çopjas, ku i qante hallin se nuk kishte më vend për të futur paratë, ndaj kishte menduar që t’i groposte në qypa, poshtë 200 rrënjëve të ullinjve që kishte në pronësi.

Por Franc Çopja e këshillonte se milionat e eurove do të shkatërrohen po të groposen, ndaj i sugjeronte që të blinte lingota ari. Në këtë pjesë, Ervis Çela i kthen përgjigje duke i thënë që në Shqipëri nuk ka aq shumë flori, ndaj sugjeron që lingotat të porositen në Afrikë.

Në biseda të tjera, Ervis Çela flet me njërin prej vëllezërve të tij, Riza Çela, të cilit i shkruan se ka akumuluar një vlerë monetare prej më shumë se 100 milionë euro.

Ndërkohë, në 2 shkurt të vitit 2021, Ervis Çela i ankohet sërish Franc Çopjas se nuk po di më se ku t’i çojë lekët. Ndërkohë që ky i fundit i thotë që të blejë çdo ditë nga 20 deri në 30 kg flori, derisa të bëjë në total 1 mijë kg flori.

Këtë të martë reagoi zyrtarisht edhe Europol, ku u shpreh se në këtë megaoperacion të zhvilluar pak ditë më parë, u angazhuan agjencitë ligjzbatuese në disa shtete të Europës. Kujtojmë se në Shqipëri, si pjesë e kësaj organizate që prej disa vitesh trafikonin kokainë nga Amerika Latine, u arrestuan 10 persona, ndërsa 6 të tjerë u shpallën në kërkim./vizion plus

after content