
Pas ndarjes nga jeta të mjeshtrit të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, artistë, intelektualë dhe personalitete të njohura të kulturës shqiptare kanë shprehur dhimbjen dhe vlerësimin e tyre për figurën e tij të jashtëzakonshme.
Një ndër reagimet më të ndjera ka ardhur nga regjisori dhe aktori i njohur Mevlan Shanaj, i cili ka ndarë me publikun një mesazh emocional, duke theksuar humbjen e madhe që ka pësuar kinematografia shqiptare.
“Lamtumirë “diktatori i së bukures”, maja e arritjeve artistike të ekranit shqiptar! Lamtumirë mjeshtri i ndërtimit të karaktereve shqiptare! Nuk ka më Anagnost ekrani, nuk ka një të dytë si ai! Shqipëria sot ka pësuar një humbje të madhe, sa e varfër kinemaja pa ty Anagnost! Sa të pasur na e ke lënë dijen për jetën shqiptare! Ngushëllime Roza, Juna, Era!”, shkruan aktori Shanaj.
Dhimitër Anagnosti u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, pas një lëngate të gjatë. Ai mbetet një nga emrat më të shquar të historisë së filmit shqiptar, autor i disa prej veprave më përfaqësuese të ekranit shqiptar, si “Komisari i dritës”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Të paftuarit” dhe shumë të tjera.