Vladimir Putin sipas BBC mësohet se ka ofruar të ndalojë ofensivën e tij dhe të “ngrijë” vijën e frontit në Ukrainë, nëse Volodymyr Zelensky pranon t’i dorëzojë kontrollin e rajonit lindor të Donetskut Rusisë.
Shumë media gjithashtu raportojnë se Putini i ka kërkuar Ukrainës të tërhiqet më gjerësisht nga rajoni i Donbasit, i cili përbëhet nga Donetsk dhe Luhansk.
Kjo vjen pas raporteve të mëparshme që sugjeronin se Putini dëshironte që Ukraina t’i dorëzonte kontrollin në të dyja këto zona në këmbim të ndalimit të ofensivës ushtarake përgjatë vijës së frontit.
Çfarë dimë për Donbasin?
Rajoni ka qenë burim përplasjesh territoriale mes Ukrainës dhe Rusisë që prej vitit 2014. Rajoni i Donbasit është kryesisht rusishtfolës dhe, pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, forcat e saj përfaqësuese (proksi) pushtuan më shumë se një të tretën e lindjes së Ukrainës në një luftë që nuk përfundoi kurrë.
Pak para se të niste luftën, presidenti Putin njohu të gjithë Luhanskun dhe Donetskun si të pavarur nga Ukraina, jo vetëm pjesët e kufizuara të krijuara nga forcat pro-ruse të mbështetura nga Moska.
Ngrirja e vijës së frontit?
Tani, disa media, përfshirë Financial Times, Bloomberg dhe Reuters, raportojnë se Putini i ka thënë Trump-it se do të ndalonte luftimet në pjesën tjetër të vijës së frontit në Ukrainë nëse Zelensky dorëzon kontrollin e plotë të rajonit të Donbasit.
Siç tregon harta më poshtë, kjo do të kërkonte që presidenti ukrainas të dorëzonte disa pjesë të rajonit të Donbasit që Rusia ende nuk i ka marrë nën kontroll. Kjo gjithashtu do të përfshinte shumicën e Zaporizhzhias dhe Khersonit në jug – të cilat Rusia i ka pushtuar.