Operacioni anti-kanabis në Shkodër, babë e bir kapen duke kultivuar 165 rrënjë! Në hetim 6 kryepleq fshati (EMRAT)

1

Policia e Shkodrës ka vijuar operacionin antikanabis të koduar “Koordinata”, i cili po zbatohet në të gjithë territorin e qarkut për goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë kontrolleve të kryera në gjashtë njësi administrative, janë zbuluar dhe asgjësuar gjithsej 1723 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa.

Në fshatin Vukpalaj, njësia administrative Kastrat, janë arrestuar dy persona, babë e bir, të cilët dyshohet se kishin kultivuar 165 bimë kanabisi në një sipërfaqe pranë tokës së tyre. Ata janë identifikuar si Paulin Dekaj, 64 vjeç, dhe Briken Dekaj, 32 vjeç, banues në fshatin Hot.

Ndërkohë, në njësitë administrative Shosh, Pult, Postribë dhe Shalë, janë asgjësuar 1060 bimë narkotike. Për moskallëzim dhe mosveprim ndaj kultivimit të paligjshëm, janë proceduar penalisht gjashtë kryetarë fshatrash, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Po ashtu, në zonën e njësisë administrative Temal janë gjetur dhe asgjësuar 142 bimë narkotike të mbjella në një sipërfaqe të hapur.

Njoftimi i policisë:

Qarku Shkodër/Vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë kontrolleve në territoret e 6 njësive administrative, u gjetën dhe u asgjësuan 1723 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas (babë e bir), të dyshuar për kultivimin e 165 bimëve narkotike, në fshatin Vukpalaj.

Procedohen penalisht 6 kryetarë fshatrash, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi, në bashkëpunim me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve:

-në territoret e njësive administrative Shosh, Pult, Postribë dhe Shalë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 1060 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Plan, shtetasin N. Sh.; për kryetarin e fshatit Kir, shtetasin D. V.; për kryetarin e fshatit Palaj, shtetasin K. K.; për kryetarin e fshatit Pecaj, shtetasin D. V.; për kryetarin e fshatit Nenmavriq, shtetasin L. L.; për kryetarin e fshatit Gimaj, shtetasin P. Sh..

-në territorin e njësisë administrative Kastrat, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan 521 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve u arrestuan shtetasit P. D., 64 vjeç, dhe B. D., 32 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Hot, pasi dyshohet se kanë kultivuar 165 bimë narkotike që u gjetën në fshatin Vukpalaj, në një ambient të hapur, në kufi me tokën që ata kishin në përdorim;

-në territorin e njësisë administrative Temal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 142 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.

Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër.

#angazhimpërkushtimsakrificë
#tëvendosurkundërkrimit
#nëçdoskajtëvendit
#nëshërbimtëqytetarëve
#denonconë112