Panik në tregjet energjetike! Sulmi misterioz ndalon naftën ruse drejt Hungarisë dhe Sllovakisë

2
panik-ne-tregjet-energjetike!-sulmi-misterioz-ndalon-naften-ruse-drejt-hungarise-dhe-sllovakise
Panik në tregjet energjetike! Sulmi misterioz ndalon naftën ruse drejt Hungarisë dhe Sllovakisë

Furnizimi me naftë bruto nga Rusia drejt Hungarisë dhe Sllovakisë përmes gazsjellësit sovjetik ‘Druzhba’ u pezullua të hënën, pas një sulmi të dyshuar ukrainas mbi një pjesë të infrastrukturës energjetike.

Lajmi u konfirmua nga autoritetet në Budapest dhe Bratislavë, ndërsa reagimet politike nuk kanë munguar, shkruan Reuters.

Sipas qeverisë hungareze, incidenti lidhet me një sulm mbi një stacion transformatori, që sipas ministrit të Jashtëm, Peter Szijjarto, përbën “një goditje të papranueshme ndaj sigurisë energjetike” së vendit.

Pas një bisede me zëvendësministrin rus të Energjisë, Pavel Sorokin, është konfirmuar se po punohet për rikuperimin teknik të rrjetit, por ende nuk dihet se kur do të rifillojnë dërgesat.

Ukraina nuk e ka pranuar drejtpërdrejt përgjegjësinë për këtë sulm. Megjithatë, ministri i Jashtëm, Andrii Sybiha, shkroi në platformën “X” se Hungaria “mund t’i dërgojë ankesat e saj në Moskë, jo në Kiev”.

Ai shtoi se “Rusia është ajo që nisi këtë luftë dhe refuzon ta përfundojë. Hungaria është paralajmëruar prej vitesh se Moska është një partner i pasigurt, por ka zgjedhur të mbetet e varur nga energjia ruse”.

Ky zhvillim vjen në një moment të ndjeshëm diplomatik, teksa presidenti amerikan, Donald Trump, pret në Uashington presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe liderë evropianë për të diskutuar një mundësi marrëveshjeje paqeje me Rusinë.

Ndërkohë, Kievi ka shtuar ndjeshëm sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse, duke synuar të godasë një nga burimet kryesore të financimit të luftës së Kremlinit. Shitjet e naftës dhe gazit përbëjnë rreth 25% të buxhetit shtetëror rus.

Nuk është hera e parë që rrjeti “Druzhba” pezullohet për shkak të konfliktit. Në mars, një tjetër sulm ukrainas në një stacion matës shkaktoi ndërprerje të përkohshme të furnizimit.

Po ashtu, më 13 gusht ushtria ukrainase deklaroi se kishte goditur me dronë një stacion pompimi në rajonin rus të Bryanskut.

Ndërprerja aktuale prek Hungarinë dhe Sllovakinë, dy vende të cilat mbeten fort të varura nga nafta ruse.

Vetëm vitin e kaluar, Rusia furnizoi Hungarinë me 4.78 milionë tonë naftë bruto (rreth 95 mijë fuçi në ditë) përmes këtij tubacioni. Operatori sllovak Transpetrol konfirmoi ndalimin e flukseve, por sqaroi se transporti i brendshëm në territorin e Sllovakisë vijon normalisht sipas planit.

Kompania hungareze e naftës MOL theksoi në një komunikatë se pavarësisht pezullimit, siguria e furnizimit rajonal mbetet e garantuar, ndërsa rikuperimi teknik është në proces.

Për Hungarinë, kjo situatë është një kujtesë e brishtësisë së varësisë energjetike nga Moska.

Edhe pse pjesa më e madhe e BE-së është përpjekur të reduktojë importet ruse që prej pushtimit të Ukrainës, Budapesti ka mbetur një nga klientët më besnikë të Kremlinit.

after content