Pamje të siguruara nga kamerat e sigurisë dhe publikuara nga TV Klan zbulojnë momentin kur Klejvis Caka, 26 vjeç, largohet me vrap nga vendi i ngjarjes, me pistoletën në dorë, pasi ka plagosur me armë zjarri Jukled Abazin, 28 vjeç, në zonën e Freksut, mbrëmjen e së shtunës.
Ngjarja ka ndodhur në një prej rrugëve të populluara të kryeqytetit, ndërsa autori është tashmë në kërkim nga Policia e Tiranës.
Sipas informacioneve zyrtare, viktima, Jukled Abazi, po udhëtonte me automjetin e tij tip Mercedes Benz, kur është qëlluar nga Caka. Pas plagosjes, ai ka braktisur makinën dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës, nga i kunati i tij. Burime nga spitali bëjnë me dije se Abazi ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Për këtë ngjarje, policia ka vënë në pranga Xhonatan Qerimin, ndërsa është shpallur në kërkim edhe Andi Gurra, i cili sipas pamjeve të publikuara, shihet duke u larguar menjëherë pas të shtënave. Të dy dyshohen se kanë ndihmuar autorin të largohet nga vendngjarja, duke u përballur tashmë me akuzën e “moskallëzimit të krimit” dhe “ndihmës pas kryerjes së një vepre penale”.
Hetimet paraprake nga Policia dhe Prokuroria e Tiranës kanë ngritur dyshime për një konflikt të çastit, me motive të dobëta, si shkak i përplasjes mes të dy të rinjve.
Policia vijon kontrollet intensive për kapjen e Klejvis Cakës, ndërsa nuk përjashton mundësinë që në këtë ngjarje të jenë përfshirë edhe persona të tjerë.
Mësohet se e kanë fokusuar vendndodhjen e tij.