Përplasi makinat e parkuara i dehur, AMP arreston policin e “Shqiponja-ve”

1
perplasi-makinat-e-parkuara-i-dehur,-amp-arreston-policin-e-“shqiponja-ve”
Përplasi makinat e parkuara i dehur, AMP arreston policin e “Shqiponja-ve”

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për rajon Kavajë-Durrës ka njoftuar këtë të martë arrestimin në flagrancë të punonjësit të policisë, Inspektor A. B., i cili shërben në detyrën e Trupë Shërbimi në Forcën e Posaçme “Shqiponja” pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

“Më datë sot, rreth orës 05:40, Inspektori A. B. duke drejtuar një automjet tip “Audi” në rrugën “Egnatia”, ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka përplasur disa automjete të parkuara, duke shkaktuar dëme materiale.”-thuhet në njoftimin e AMP-së.

Në zbatim të procedurave të parashikuara, i është kërkuar të kryejë testin e alkoolit në organizëm, por ka refuzuar. Në këto kushte, në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës është marrë mostrë gjaku për analizë.

Materialet proceduriale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.