“Pësoi arrest kardiak”, Elton Bani humbi jetën në Itali pasi u godit nga karabinierët me elektroshok, dalin rezultatet e autopsisë

1
“pesoi-arrest-kardiak”,-elton-bani-humbi-jeten-ne-itali-pasi-u-godit-nga-karabinieret-me-elektroshok,-dalin-rezultatet-e-autopsise
“Pësoi arrest kardiak”, Elton Bani humbi jetën në Itali pasi u godit nga karabinierët me elektroshok, dalin rezultatet e autopsisë

Elton Bani, 41vjeç, humbi jetën më 17 gusht në Itali, pasi u qëllua me elektroshok gjatë një operacioni të karabinierëve.

Pasditen e së martës, më 20 gusht, u krye autopsia, rezultatet e së cilës janë publikuar ditën e djeshme.
Sipas mjekes ligjore Isabella Caristo, e cila kreu autopsinë, tre elektroda nga taseri kanë goditur Banin, duke shkaktuar një arrest kardiak fatal

Nga ekzaminimi rezulton se një nga elektrodat e para e ka prekur lehtë në pjesën e përparme të trupit, ndërsa dy të tjerat e kanë goditur në pjesën e sipërme të shpinës.

Këto dy goditje të fundit dyshohet se shkaktuan arrestin kardiak, pasi nuk janë gjetur shenja të tjera të dhunës fizike që mund të kishin shkaktuar vdekjen.

Janë identifikuar vetëm disa gërvishtje, njëra prej të cilave për shkak të një aksidenti rrugor të ndodhur disa ditë më parë, dhe të tjerat të pësuara gjatë përplasjes me forcat e rendit.

Autopsia tregoi gjithashtu se Bani nuk kishte probleme të mëparshme me zemrën, çka hedh poshtë hipotezën se përdorimi i taserit mund të ketë rënduar një gjendje shëndetësore të brishtë.

Pritet gjithashtu rezultati i analizave toksikologjike, për të parë nëse alkooli apo substanca narkotike mund të kenë ndikuar në ngjarjen tragjike.

Ndërkohë, dy karabinierët që ndërhynë për të qetësuar situatën janë tani nën hetim për vrasje nga pakujdesia.

Prokuroria e Genovas po punon për të rindërtuar saktësisht rrjedhën e ngjarjes dhe për të vlerësuar nëse përdorimi i taserit ishte i justifikuar.

Vëllai i viktimës, përmes avokatit Cristiano Mancuso, ka thënë se nuk mund të gjejë paqe për atë që ka ndodhur dhe se kërkon drejtësi.

Ndërkohë, autoritetet kanë dhënë lejen për transportimin e trupit në Shqipëri, ku familja do të zhvillojë ceremoninë mortore./