Kanë dalë pamjet e aksidentit në Bolonja të Italisë ku humbi jetën një 18-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Valerio Maksuti dhe u plagos rëndë një shqiptar tjetër një vit më i madh.
Dy të rinjtë ishin në ndjekje nga policia pasi makina me të cilën lëviznin ishte e vjedhur.
Në timon ishte pikërisht 19-vjecari që sipas policisë italiane nuk kishte as leje drejtimi. Ai është jashtë rrezikut për jetën në spital.
Policia i ka komunikuar menjëherë akuzat për shkaktim të aksidentit me pasojë vdekjen, vjedhje dhe rezistencë ndaj uniformave të policisë.
I riu, i cili nuk ka precedentë penalë, aktualisht jeton në një komunitet që strehon si të mitur ashtu edhe të rritur. Edhe 18-vjeçari shqiptar që humbi jetën kishte qëndruar në një qendër të tillë deri pak kohë më parë.
Ai kishte precedentë penalë në fushën e vjedhjeve. Makina me të cilën udhëtonin u përplas me një shtyllë në Via Murri në Bologna.
Aksidenti ndodhi në orën 5:00 të mëngjesit.
Sipas raporteve fillestare të policisë, makina u vu re nga një makinë patrullimi në Via Tolmino. Oficerët iu afruan asaj ndërsa ajo ishte ndaluar në një semafor. Mjeti, një Audi, u largua me shpejtësi drejt semaforit duke bërë që policia t’i vihet pas.
“Një tragjedi që mund të ishte shmangur duke respektuar ligjin”. Kështu shkroi në X Ministri Italian i Transportit Matteo Salvini.
“Shpresoj vetëm që tani askush të mos mendojë të ndjekë penalisht policinë, e cila bën punën e saj duke vënë jetën e saj në rrezik çdo ditë”, shtoi ai.